Ndërlidhjet

EUROPOL-i njofton për shkatërrimin e "grupit më aktiv shqipfolës të trafikimit të kokainës në Evropë"


Ilustrim.
Ilustrim.

Agjencia e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EUROPOL), ka njoftuar të enjten se një operacion i pashembullt ndërkombëtar, që ka përfshirë autoritetet për gjyqësor dhe ato për zbatim të ligjit në 10 shtete të ndryshme, ka rezultuar me shkatërrim të grupit kriminal shqipfolës “KOMPANIA BELLO”, i cili konsiderohet se ka qenë një prej rrjeteve më aktive të trafikimit të kokainës në Evropë.

“Në orët e para të 15 shtatorit, qindra zyrtarë policorë, duke përfshirë ekipet speciale të intervenimit, dhe në bashkëpunim të ngushtë me prokurorë dhe zyrtarë hetues, bashkë me mbështetjen e Europol-it dhe Eurojust-it (Agjencia e Bashkimit Evropian për bashkëpunim në gjyësor për çëshje kriminale), kanë kryer bastisje të organizuara kundër anëtarëve të kësaj sindikate kriminale tejet profesionale”, është thënë në një komunikatë të Europol-it.

Si rezultat i operacionit të përbashkët, 20 individë janë arrestuar në Itali, dy në Holandë, dy në Gjermani, dy në Greqi, një në Rumani, një në Hungari, një në Spanjë, pesë në Shqipëri dhe një një Dubai.

Të dyshuarit është thënë se janë vendosur në paraburgim për trafikim me substanca narkotike, posedim joligjor apo shpërndarje të drogës, dhe sulme brutale, përfshirë vrasje.

Europol-i ka thënë se ky operacion konsiderohet më i madhi ndonjëherë kundër ndonjë grupi shqipfolës, që ka kryer krim të organizuar.

Përgjatë hetimit është thënë se janë konfiskuar 4 tonë të kokainës dhe rreth 5.5 milionë euro para të gatshme.

Një model i sofistikuar biznesor

Me vite të tëra, importuesit ndërkombëtarë të kokainës kanë punuar ndaras nga shitësit me shumicë dhe bandat që kanë shpërndarë drogën nëpër rrugë.

Në këtë rast, rrjeti shqipfolës, që është nën hetim, ka hequr dorë nga ky model dhe ka kontrolluar tërë zinxhirin – duke nisur nga rregullimi i dërgesave direkt nga Amerika Jugore, deri te shpërndarja në gjithë Evropën.

Përmes metodave të sofistifikuara të komunikimit, duke përfshirë mesazhet e koduara, kryesuesi i organizatës – një 40-vjeçar shqiptar me bazë në Ekuador – ka negociuar drejtpërdrejt me kartelet e drogës të Amerikës Jugore, ka porositur sasi të madhe të kokainës drejt porteve të Evropës dhe me ndihmën e bashkëpuntorëve në Itali, Holandë dhe Shqipëri, ka organizuar shpërndarjen në Evropë.

Kokaina e kontrabanduar rreth kufijve evropianë është fshehur në makina të pajisura me zona të sofistikuara për fshehje.

XS
SM
MD
LG