Ndërlidhjet

Osmani: Asociacioni me kompetenca ekzekutive është rrezik


Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha të martën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, me kompetenca ekzekutive, është rrezik për vendin.

"Ajo që mbetet e vërtetë është se krijimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive është rrezik për Kosovën. Nëse palët që kanë qenë nënshkruese [të marrëveshjes], qoftë në vitin 2013, apo 2015, e kanë kuptuar këtë përgjatë rrugës, është lajm i mirë për Kosovën, se do të thotë se do të na bashkohen neve të tjerëve që e kemi kundërshtuar që nga fillimi", tha Osamani pas një takimi të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Sipas saj, përplasjet me fjalë ndërmjet zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, presidentit Hashim Thaçi dhe zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, për marrëveshjen për Asociacionin, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia, janë përplasje artificiale.

“Si në vitin 2013, kur është nënshkruar marrëveshja, e cila është ratifikuar në kuvend, si në vitin 2015, kur është nënshkruar dokumenti për zbatimin e parimeve të Asociacionit - në të dyja rastet kanë qenë bashkë. E kanë përkrahur njëra-tjetrën këto dy palë [LDK-PDK]”, tha Osmani.

Tema e Asociacionit është rihapur në takimin e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 7 shtator në Bruksel.

Krijimi i këtij Asociacioni është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se hapja e temës së Asociacionit në Bruksel “është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës”.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë më 17 shtator se kjo marrëveshje është nënshkruar nga Thaçi.

Kryeparlamentarja Osmani ka thënë më herët se “është gabim serioz” që po hapen “çështje tashmë të mbyllura dhe çështje të rregullimit të brendshëm, që tashmë janë shpallur jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese”.

XS
SM
MD
LG