Ndërlidhjet

Gjykata Speciale emëron gjashtë gjyqtarë të rinj


Gjykata Speciale për Krime Lufte në Kosovë

Dhomat e Specializuara të Kosovës, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale, emëruan të martën gjashtë gjyqtarë të rinj për këtë institucion.

Në një njoftim të lëshuar nga Njësia e Informimit dhe Komunikimit Publik, pranë Gjykatës Speciale, thuhet se ”Autoriteti Emërues, ambasadori Lars-Gunnar Wigemark, pas marrjes së rekomandimeve nga paneli përzgjedhës i pavarur, ka emëruar gjashtë gjykatës të tjerë në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë”.

Gjykatësit: z. Gilbert Bitti (Francë), z. Daniel Fransen (Belgjikë), z. Fergal M. Gaynor (Irlandë), znj. Romina Incutti (Itali), znj. Nina H.B. Jorgensen (Norvegji), dhe z. Roumen H. Nenkov (Bullgari) u shtohen 17 gjykatësve që aktualisht janë në Regjistër.

Autoriteti Emërues gjithashtu emëroi gjykatësin Antonio Balsamo dhe gjykatësin Nenkov si gjykatës të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese dhe znj. Incutti e emëroi gjykatëse rezervë në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

Me kërkesën e tij, gjykatësi Roland Dekkers nuk është më gjykatës i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, por do të jetë në Regjistër, gjë që i mundëson të caktohet në Dhoma të tjera me përjashtim të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, sqaron njoftimi.

Gjykata Speciale merret me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Selia e Gjykatës Speciale është në Hagë.

Ajo punon me ligjet e Kosovës, por gjyqtarët dhe prokurorët e saj janë ndërkombëtarë.

Ekspertët kanë thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk konsiderohet mjaftueshëm i pavarur për t’i hetuar krimet e dyshuara të luftës dhe se ka dyshime se mund të ketë kërcënime ndaj dëshmitarëve, andaj selia e Gjykatës është vendosur jashtë Kosovës.

Deri më tani, ajo ka ftuar për intervistim qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

XS
SM
MD
LG