Ndërlidhjet

Zyra e Prokurorit të Specializuar konfirmon arrestimin e Gucatit


Dhomat e Specializuara në Hagë
Dhomat e Specializuara në Hagë

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë konfirmoi të premten mbrëma se Hysni Gucati u arrestua në Kosovë “në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim”, të lëshuar nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Gucati është kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi, kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Aty nuk jepen detaje për arsyet e lëshimit të fletarrestimit kundër Gucatit, ndërsa thuhet se Zyrës së Prokurorit të Specializuar i kanë dhënë mbështetje EULEX-i – Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – dhe Policia e Kosovës.

Të premten në Kosovë, Zyra e Prokurorit të Specializuar arrestoi edhe nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinajn.

Avokati i kësaj organizate, Tomë Gashi, tha se Gucati dhe Haradinaj do të transferohen për në Hagë.

"Në bazë të vendimit që e kemi parë, mund të ketë gjasa që ai është arrestuar për atë që gjykata e konsideron si pengim të drejtësisë”, tha Gashi duke folur për arrestimin e Gucatit.

Tri herë këtë muaj, Organizata e Veteranëve të Luftës ka thënë se ka pranuar - në mënyrë anonime - dosje që lidhen me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë, këtë javë, se disa aktivitete në të cilat është e përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 24 shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka arrestuar edhe Salih Mustafën - njërin prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit.

Për më shumë rreth këtyre zhvillimeve, lexoni këtu.

XS
SM
MD
LG