Ndërlidhjet

Punëtorët teknikë shëndetësorë kërkojnë të përfshihen në pakon emergjente


Punëtorët shëndetësorë. Foto ilustrim.

Punëtorët teknik të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) të mërkurën kanë protestuar duke kërkuar që të përfshihen në listat e shtesave prej 300 euro të ndara nga Qeveria e Kosovës, për rrezikshmëri në punë gjatë kohës së pandemisë.

Në protestë kanë marrë pjesë punëtorë nga administrata, recepsionistët, vozitësit e autoambulancave, sigurimit, shërbyesit e ushqimit, punëtorët e oksigjenit, shërbimeve teknike, si dhe ata të pastrimit.

Nezir Sopi, vozitës i autoambulancës së Qendrës Emergjente, i cili ditën e mërkurë po protestonte në shenjë pakënaqësie që nuk është përfshirë në Pakon Emergjente, tha se të gjithë vozitësit kanë bartur me qindra pacientë me COVID-19, duke shërbyer për klinikat brenda Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

"I kemi të evidentuar gjithë pacientët me emër e mbiemër, dhe janë argument që kemi vozitur natë e ditë qindra pacientë me COVID-19", tha ai.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se do të shqyrtohen gjitha mundësitë, së bashku me Qeverinë e Kosovës, që të gjithë punëtorët e stafit mbështetës, të përfshihen në pakon emergjente, meqë puna gjatë gjithë pandemisë me COVID-19, ka qenë e përbashkët.

“Menaxhimi i pandemisë është bërë falë bashkëpunimit të mirë të të gjithë sektorëve të njësive të SHSKUK-së edhe të punëtorëve shëndetësorë, por edhe të stafit mbështetës. Si menaxhment kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që të gjithë punëtorët të përfshihen në këtë skemë të përfitimit. Jemi në bashkëbisedim me Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë që do të shqyrtohen gjitha mundësitë që të gjithë punonjësit e SHSKUK-së të përfshihen në këtë pagesë shtesë prej 300 eurosh’’, tha Krasniqi.

Kosova po zbaton Pakon emergjente fiskale, në vlerë të rreth 180 milionë eurove. Kjo pako, e cila kishte për qëllim të zbuste problemet ekonomike dhe sociale, ishte miratuar në muajin mars, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus.

XS
SM
MD
LG