Ndërlidhjet

BE kërkon ndalimin e luftimeve në Nagorno Karabak


Nagorno Karabak
Nagorno Karabak

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian bënë thirrje për fundin e menjëhershëm të luftimeve midis forcave armene dhe azerbajxhanase për rajonin e kontestuar të Nagorno Karabakut.

“Humbjet e jetëve të civilëve janë të papranueshme. Nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake të konfliktit e as ndonjë ndërhyrje të jashtme”, tha Këshilli Evropian, në një deklaratë të lëshuar në orët e para të së premtes, pas një samiti në Bruksel.

BE tha se mbështet bashkëkryesuesit e të ashtuquajturit Grup i Minskut, nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i cili ka bërë përpjekje të ndërmjetësojë konfliktin që në fillim të viteve 1990.

Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, si bashkëkryesuese të Grupit të Minskut, bënë thirrje më 1 tetor për ndërprerje të menjëhershme të armiqësive midis forcave që luftojnë për Nagorno Karabakun.

Forcat armene dhe azerbajxhanase kanë treguar pak gatishmëri për t’i ndaluar luftimet që kanë shpërthyer më 27 shtator.

Më shumë se 100 njerëz, përfshirë shumë civilë, janë vrarë në përleshjet e rënda.

Zyrtarisht pjesë e Azerbajxhanit, Nagorno Karabaku qeveriset nga armenët etnikë.

Dy ish-republikat sovjetike, Azerbajxhani dhe Armenia, kanë zhvilluar një luftë për territorin më 1988-1994, e cila ka lënë rreth 30,000 njerëz të vrarë.

Është e paqartë se çfarë i ka shkaktuar luftimet e fundit.

Konflikti kërcënon të përfshijë Rusinë, anëtare e një aleance të sigurisë me Armeninë, dhe Turqinë, anëtare e NATO-s.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha të enjten se vendi i tij do të vazhdojë t’i sigurojë "të gjitha llojet e mbështetjes" për Azerbajxhanin.

Rusia është ndër furnitorët më të mëdhenj të armëve për Azerbajxhanin dhe Armeninë. Ajo gjithashtu ka një bazë ushtarake në Armeni.

XS
SM
MD
LG