Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut të martën vendos për hapjen e kufirit me Kosovën


Maqedoni e Veriut, foto nga arkivi.

Komisioni i Sëmundjeve Infektive i Maqedonisë së Veriut i ka propozuar qeverisë hapjen e kufijve me Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, pa testin për koronavirus, të njohur si PCR.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se propozimi për këtë nismë rajonale do të diskutohet të martën në mbledhjen e qeverisë dhe se vendimi me gjasë do të jetë pozitiv.

“Bëhet fjalë për nismë rajonale, jo të Maqedonisë së Veriut, pasi kemi një rajon të vogël, ndërsa shifrat thuajse janë identike. Me siguri se do të marrim vendim në qeveri, kemi debat kualitativ. Kjo do të ndihmojë edhe ekonomikisht, por duhet të kemi kujdes… Ne nuk duam të jemi të izoluar nga rajoni. Nëse rajoni është i hapur edhe ne duhet; jemi shtet i vogël, i lidhur me rajonin. Ne marrim vendime pozitive kur propozime të tilla bëhen nga ekspertët e Komisionit të Sëmundjeve Infektive”, ka deklaruar Zaev.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se propozimi i Komisionit të Sëmundjeve Infektive është marrë bazuar në analizat epidemiologjike, sipas të cilave, për momentin nuk ka indikacione apo numër të lartë të rasteve me COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi] që janë sjellë nga këto vende.

“Bazuar në të dhënat momentale, nuk ka rrezik për hapjen e kufijve”, thuhet të njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, e cilësoi si lajm të mirë propozimin nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive në Maqedoninë e Veriut.

“Numri i të infektuarve në vendin tonë me COVID-19 nuk përbën rrezik dhe e përshëndes propozimin për hapjen e kufijve pa test PCR. Uroj që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ta miratojë këtë propozim”, tha Zemaj në një postim në Facebook.

Shtetasit e Maqedonisë e Veriut aktualisht mund të lëvizin pa testin PCR vetëm në Republikën e Shqipërisë.

Heqja e kufizimeve kufitare së voni është kërkuar edhe nga Odat Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore dhe Oda Ekonomike e Kosovës.

XS
SM
MD
LG