Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut regjistron katër viktima dhe 317 raste me COVID-19


Ilustrim.
Ilustrim.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të mërkurën 317 raste të reja me koronavirusin e ri nga testimi i 1,990 mostrave.

Ky numër njëherësh paraqet shifrën më të lartë të të infektuarve brenda 24 orëve që nga fillimi i pandemisë në këtë shtet, por edhe numrin më të lartë personave të testuar.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në Shkup, gjithsej 182 raste, në Shtip (13), Koçani (18), Gostivar (11), Kumanovë (12) ndërsa numër më i vogël në 10 qytete tjera.

Janë regjistruar edhe katër viktima; dy në Gostivar të moshës 71 dhe 76 vjeç dhe nga një në Shkup dhe Strugë të moshës 59 dhe 65 vjeç.

Numri i përgjithshëm i viktimave nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 772, derisa më shumë së gjysma e tyre janë nga Shkupi.

Sipas raportit të publikuar deri më tani në Maqedoninë e Veriut me koronavirus janë diagnostikuar 19,413 persona dhe prej tyre 15,749 janë shëruar dhe 2,892 janë ende raste aktive.

Numri i përgjithshëm i testeve të kryera për COVID-19 ka arritur në 199,372.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ka thënë se rritja e rasteve me COVID-19 tregon se vendi ka hyrë në fazën e pritur të virusit në vjeshtë. Ai ka thënë se respektimi i masave dhe kufizimet e mundshme janë mjeti i vetëm për t’u mbrojtur nga pandemia.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat dhe të evitojnë lëvizjet e panevojshme.

“Ne do të vendosim kufizime dhe masa sa herë që konsiderojmë se kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur shëndetin dhe sistemin publik. Masat dhe kufizimet nuk janë dëshira apo teka e askujt. Thjesht duhet të kuptojmë se ato janë mjetet e vetme në dispozicion për të mbrojtur veten. Si Qeveri, ne jemi të përkushtuar fuqimisht për zbatimin e masave dhe ndëshkimin e atyre që nuk i respektojnë ato. Inspektoratet tani kanë kompetenca më të mëdha dhe ata do ta bëjnë punën e tyre me përkushtim maksimal. Besoj se autoritetet do të bëjnë gjithçka për të sanksionuar qytetarë të papërgjegjshëm”, ka shkruar Filipçe në llogarinë e tij në rrjetin social, Facebook.

XS
SM
MD
LG