Dy militantë të Shtetit Islamik (IS) nga Britania janë deklaruar të pafajshëm, gjatë paraqitjes së tyre në një gjykatë amerikane më 9 tetor. Ata po akuzohen nga autoritetet amerikane për vrasjen e katër pengjeve amerikane.
Alexanda Kotey 36 vjeç dhe El Shafee Elsheikh 32-vjeçar, akuzohen se kanë qenë pjesë e qelizës së IS-it të njohur si “The Beatles”.
Ata u sollën në SHBA nga Iraku dhe po përballen me akuza për përfshirjen në vrasjen e gazetarëve amerikanë James Foley dhe Steven Sotloff dhe për vrasjen e punëtorëve të ndihmës, Peter Kassig dhe Kayla Mueller.
Kotey dhe Elsheikh po përballen me tetë akuza si “pjesëmarrës kryesorë në një skemë brutale të pengmarrjes” që rezultoi në vdekjen e pengjeve perëndimore.
Grupi që këta dy të akuzuar i përkisnin, ishte i njohur për prerjen të kokave, tortura dhe trajtim barbar të pengjeve. Këta militantë filmonin torturat ndaj pengjeve dhe i përdornin këto video si propagandë për grupin militant, Shteti Islamik.
Në aktakuzë përfshihet edhe akuzat e pengmarrjes së rezultojnë në vdekje dhe vrasjen e shtetasve amerikan jashtë SHBA-së.
Ata u deklaruan të pafajshëm gjatë seancës së mbajtur në Gjykatën Federale në Aleksandria, Virgjinia.
Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për 15 janar.
Përveç vdekjes së katër amerikanëve, Elsheikh dhe Kotey gjithashtu dyshohet se kanë qenë të përfshirë në vrasjen e dy britanikëve dhe disa pengjeve të tjera.
Britani ua ka hequr shtetësinë dhe ka lejuar transferimin e tyre në SHBA, pasi autoritetet amerikane siguruan Londrën zyrtare se ndaj tyre nuk do të kërkojnë dënim me vdekje. Nëse gjenden fajtor, ata përballen me burgim të përjetshëm.