Mijëra njerëz protestuan në Los Anxhelos të SHBA-së për të mbështetur Armeninë në konfliktin e saj të vazhdueshëm me Azerbajxhanin për rajonin separatist të Nagorno Karabakut.
Marshi i 11 tetorit në Los Anxhelos mblodhi të paktën 20.000 mbështetës pro-Armenisë.
Në një moment ata u mblodhën para Konsullatës Turke në Beverly Hills për të dënuar mbështetjen e Turqisë për Azerbajxhanin.
Protesta ishte kryesisht paqësore.
Kalifornia Jugore është vendi me popullsinë më të madhe armene në Shtetet e Bashkuara dhe një lagje e Hollywood-it lindor u emërua si Armenia e Vogël në vitin 2000.
Kryebashkiaku i Los Anxhelosit, Eric Garcetti, shkroi në rrjetin social, Twitter, se mbështet protestuesit, duke bashkangjitur një letër, që i është dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, nga një grup i kryetarëve të qyteteve dhe ligjvënësve të Kongresit, të cilët kërkojnë që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë në uljen e tensioneve.
"Si përfaqësues krenarë të komuniteteve armene amerikane në të gjithë vendin tonë, ne ndajmë shqetësimet e tyre të thella rreth dhunës që po i bëhet Artsakhut, numrit në rritje të viktimave civile dhe përfshirjes së aktorëve rajonalë si Turqia dhe Irani", thuhet në letër.
Armenët i referohen Nago-Karabakut si Artsakh.
Konsulli i Përgjithshëm i Azerbajxhanit në Shtetet e Bashkuara perëndimore, Nasimi Aghayev, kritikoi kryetarin e bashkisë së Los Anxhelosit për injorimin e viktimave civile në qytetet e Azerbajxhanit.
“A duhet që politika të jetë gjithmonë në lidhje me paratë dhe votat?", shkroi ai, duke shtuar një video që tregon dëmet dhe viktimat e shkaktuara nga sulmet armene në Ganca, qyteti i dytë më i madh i Azerbajxhanit.
Protesta ndodhi derisa Armenia dhe Azerbajxhani kanë bërë akuza të ndërsjella për shkelje të një armëpushimi, edhe ashtu të brishtë.
Qindra ushtarë dhe një numër i panjohur civilësh janë vrarë nga të dyja palët, që kur luftimet shpërthyen më 27 shtator. Ky është përshkallëzimi më i keq i konfliktit që nga armëpushimi i paqëndrueshëm i vitit 1994.
Dhuna ka rritur shqetësimin se një konflikt më i gjerë mund të tërheqë fuqinë rajonale Turqinë, e cila është aleati më i afërt i Azerbajxhanit dhe Rusinë, e cila ka një pakt mbrojtje me Armeninë.
Nagorno Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit. Por, rajoni ka qenë nën kontrollin e forcave armene etnike të mbështetura nga Jerevani që kur një armëpushim i vitit 1994 i dha fund luftës separatiste.
Që nga ajo kohë, Nagorno Karabaku ka qenë i populluar dhe qeverisur nga armenët etnikë, duke lënë qindra mijëra azerbajxhanas si refugjatë të luftës në Baku dhe pjesë të tjera të Azerbajxhanit, për më shumë se një çerek shekulli.