Ndërlidhjet

Petkoviq: Nëse Prishtina nuk e formon Asociacionin, serbët do të largohen nga institucionet e Kosovës


Petar Petkoviq, drejtor i ri i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe drejtori i deritashëm, Marko Gjuriq.

Nëse Prishtina nuk e zbaton detyrimin nga marrëveshja e Brukselit, atëherë edhe detyrimet e Serbisë nga ai dokument do të pushojnë, ka thënë, Petar Petkoviq, drejtor i ri i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Gjatë një takimi me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të mbajtur në Beograd, Petkoviq paralajmëroi se Serbia do ta konsiderojë edhe daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Serbia po kërkon që Kosova të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Petkoviq nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë (RFE) rreth afatit të fundit për Prishtinën, pas së cilit, Serbia do të heqë dorë nga zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit. Ai, gjithashtu nuk specifikoi hapat e ardhshëm të Serbisë lidhur me këtë çështje.

Sipas tij, është përgjegjësi e Bashkimit Evropian (BE) të ushtrojë presion mbi Prishtinën dhe të mundësojë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, siç parashikohet nga Marrëveshja e Brukselit e muajit prill të vitit 2013.

"Nuk do të ketë marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën përpara formimit të Asociacionit, dhe as nuk është në rend të ditës dhe as që është diskutuar diku. Serbia nuk do ta njohë Kosovën, dhe në këmbim të marrë një asgjë të madhe. Marrëveshja duhet të burojë nga dialogu", tha Petkoviq.

Ndërsa Marko Gjuriq, drejtori aktual i Zyrës për Kosovën dhe ambasadori i sapoemëruar i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, deklaroi se Serbia po përballet me kohë të vështira, sepse, siç tha ai, Prishtina po përpiqet të shkatërrojë dialogun.

"Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, po bën një punë të madhe për të minuar përpjekjet për dialog. Edhe në të ardhmën Serbia do të angazhohet për dialog", tha Gjuriq.

Çfarë ka thënë Hoti?

Më 12 tetor, kabineti i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Prishtina nuk do të pranojë negociata shtesë mbi krijimin e Asociacionit të Komunave më shumicë serbe.

"Qeveria nuk do të pranojë diskutimin e kësaj teme në tryezën e bisedimeve, por do të respektojë detyrimet e marrëveshjes së arritur, të cilat më pas rregullohen nga Gjykata Kushtetuese", thuhej në deklaratën e qeverisë.

Ky qëndrim i palës kosovare u bë i ditur në prag të vizitës së të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë, më 13 tetor.

Formimi i Asociacionit pritet të jetë temë kryesore në takimet me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Lajçak dhe Tomas Szunyog, kreu i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, kanë thënë më parë se pala kosovare duhet të propozojë modalitete për mekanizmin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Çfarë thuhet në Marrëveshjen e Brukselit

Marrëveshja e Brukselit është dokumenti i parë mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, të cilin të dyja palët e nënshkruan në Bruksel më 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Nga gjithsej 15 pika, e para ka të bëjë me Asociacionin e Komunave Serbe. Aty thuhet "Do të ketë një bashkësi të komunave në të cilat serbët përbëjnë shumicën e popullsisë në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për çdo bashkësi tjetër, me kusht që anëtarët të bien dakord për këtë".

Pesë pikat e ardhshme të dokumentit specifikojnë mënyrën e formimit të Asociacionit, bazuar në statut, parashikohet zgjedhja e Presidentit, zëvendës- presidentit, Asamblesë dhe Këshillit, si dhe kompetencat në bazë të së cilave Asociacioni do të ketë kontroll të plotë mbi zhvillimin ekonomik dhe rural, arsimin, shëndetësinë dhe urbanizëm.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për parimet e themelimit e këtij Asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se në 23 pika të marrëveshjes, parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG