Ndërlidhjet

Putin thotë se e ka ndihmuar Navalnyn të largohet nga Rusia për shërim


Presidenti rus, Vladimir Putin.
Presidenti rus, Vladimir Putin.

Presidenti rus, Vladimir Putin thotë se ai personalisht ka intervenuar, në mënyrë që lideri opozitar rus, Aleksei Navalny të mund të dërgohej në Gjermani për shërim, pasi ishte helmuar me agjentin nervor noviçok në muajin gusht.

Duke folur në një paraqitje televizive më 22 tetor, Putin po ashtu tha se nëse autoritetet ruse do kishin dashur që Navalny të vdiste, atëherë Moska nuk do ta lejonte që ai të fluturonte drejt Berlinit, ku 44-vjeçari po kurohet pasi helmimi për pak sa nuk i mori jetën.

Navalny, një kritik i madh i Putinit dhe një aktivist kundër korrupsionit, e ka fajësuar presidentin rus, se qëndron prapa helmimit të tij, një akuzë të cilën Kremlini e ka hedhur poshtë.

Autoritetet ruse gjithashtu po përballen me presionin për të nisur një hetim kriminal për rastin e helmimit dhe kanë kritikuar liderët perëndimorë se po kryejnë një fushatë të dezinformimit mbi sëmundjen e Navalnyt.

Putin tha se ka kërkuar nga prokurorët rusë që të autorizojnë largimin nga vendi të Navalnyt, pasi gruaja e këtij të fundit kishte bërë një kërkesë të tillë.

“Ka pasur kufizime të udhëtimit ndaj tij, që lidhen me hetime për një rast kriminal” ndaj Navalnyt, tha Putin, duke shtuar “por, pavarësisht kësaj, i kërkova Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm që të lejojë që ai të largohet”.

Navalny ishte sëmurë gjatë një fluturimi nga Siberia për në Moskë më 20 gusht. Avioni me të cilin ai po udhëtonte bëri një aterrim urgjent në qytetin siberian Omsk, ku Navalny u hospitalizua, përpara se autoritetet ruse ta lejonin që ai të dërgohej për shërim në Gjermani.

Ai u lirua nga një spital në Berlin më 22 shtator, pasi kishte qëndruar për trajtim për 32 ditë.

Bashkimi Evropian dhe Britania kanë sanksionuar gjashtë zyrtarë rusë, që besohet se janë përgjegjës për tentim-vrasjen e Navalnyt.

Sipas Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike, në Navalnyn janë gjetur gjurmë të agjentit nervor noviçok.

XS
SM
MD
LG