Ndërlidhjet

Tusk kritikon vizionin e Orbanit për demokraci


Udhëheqësi i Partisë Popullore Evropiane, Donald Tusk.
Udhëheqësi i Partisë Popullore Evropiane, Donald Tusk.

Udhëheqësi i Partisë Popullore Evropiane, Donald Tusk, ka thënë se vizioni i kryeministrit hungarez, Viktor Orban për “demokraci joliberale” në fakt po çon drejt krijimit të një “demokracie të degjeneruar” në këtë shtet.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 23 tetor, Tusk ka përgëzuar lëvizjen paqësore protestuese në Bjellorusi, e cila sipas tij është “afër fitores” kundër Alyaksandr Lukashenkas.

Në Hungari, Tusk ka thënë se “përpjekja për të krijuar një ideologji të re, e cila është quajtur nga Viktor Orban ‘demokraci joliberale’, në fakt nënkupton ‘demokraci të degjeneruar’”.

“Thënë thjeshtë: demokraci pa sundim të ligjit dhe liri të shprehjes nuk është fare demokraci”, ka thënë Tusk, duke shtuar se “trendet e njëjta negative” mund të vërehen edhe në vendlindjen e tij, Poloninë”.

Partia që udhëheq ai, ka pezulluar partinë udhëheqëse në Hungari, Fidesz nga lista e saj më 2019, pas shqetësimeve për rrëshqitje në fushën e sundimit të ligjit, si dhe sulmeve kundër Komisionit Evropian.

Pezullimi, që këtë vit është zgjatur pa ndonjë afat kohor, nënkupton se Fidesz nuk është prezente në takimet e grupit, si dhe i është hequr e drejta e votës.

Në shtator, Zëvendës-presidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourova, ka nxitur reagime në Budapest, pas një interviste për një revistë gjermane, meqë ka thënë se “Orban dëshiron të deklarojë se është duke ndërtuar demokraci joliberale. Unë do të thoja që ai është duke ndërtuar 'demokraci të sëmurë'”.

Orban, nacionalist i krahut të djathtë, është përplasur vazhdimisht me liderë të Bashkimit Evropian, për shkak të vendimeve të tij për rritje të kontrollit shtetëror ndaj gjyqësorit, mediave dhe akademisë.

E ashtuquajtura, procedura Artikulli 7, kundër Orbanit, që synon të hetojë nëse janë duke u shkelur standardet evropiane, është duke u analizuar.

Përgjatë intervistës me Radion Evropa e Lirë, Tusk ka thënë se beson që opozita demokratike në Bjellorusi është “shumë afër fitores”.

Ai ka thënë se përfshirja e BE-së në krizën politike në Bjellorusi, “nuk është vetëm obligim moral… por edhe kalkulim politik shumë racional”.

Protestat kombëtare kundër Lukashenkas janë duke vazhduar prej mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale më 9 gusht, të cilat opozita dhe qeveritë perëndimore i konsiderojnë të manipuluara.

Shtypja e këtyre protestave nga autoritetet ka rezultuar me dhjetëra vdekje, qindra të plagosur dhe më shumë se 10,000 persona të arrestuar.

Organizata ndërkombëtare, Reporterët pa Kufij kanë thënë se në Bjellorusi po ndodhin sulme “të dhunshme, të pashembullta” ndaj gazetarëve.

XS
SM
MD
LG