Ndërlidhjet

Mijëra biznese të hapura në kohë pandemie


Valentin Beiqin nuk e ka ndalur pandemia COVID-19 të nisë biznesin e tij, të cilin e kishte planifikuar ta hapte para se të konfirmoheshin rastet e para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars.

Në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë (ARBK), gjatë periudhës mars-tetor janë hapur më shumë se 5,500 biznese.

Sektorët me numrin më të madh të bizneseve të regjistruara janë në tregti me shumicë dhe pakicë, pasuar nga industria përpunuese - prodhimtaria, ndërtimtaria, hoteleria dhe akomodimi, aktivitete profesionale shkencore dhe teknike dhe sektorë të tjerë.

Ky numër i bizneseve të hapuar gjatë pandemisë është më i madh sesa numri i bizneseve të cilat janë mbyllur. Të mbyllura zyrtarisht në ARBK figurojnë 761 biznese.

Humbje jo, por as fitim të madh

Një lokal në fushën e gastronomisë, Valentin Beiqi vendosi ta hapë në qendër të Prishtinë në muajin shtator, atëherë kur në Kosovë numri i të prekurve nga koronavirusi kishte kaluar mbi 10 mijë persona.

“Planet kanë qenë të hapet në fillim të këtij viti, por është shtyrë, pastaj filloi pandemia, megjithatë, unë nuk ndryshova mendje dhe e hapa lokalin. Nuk e kam pasur problem të madh pandeminë kur fillova punën, por po krijon disa pengesa. Fitimi nuk është i madh, ashtu siç e kemi menduar”, tregon ai.

Ai thotë se për shkak të pandemisë, i ishin shkaktuar vonesa në pajisjen me dokumente përkatëse për fillimin e biznesit, porse këto pengesa ishin evituar dhe kishte nisur punën.

Në këtë kafiteri janë të punësuar 4 persona, pagat e të cilave Beiqi thotë se nuk e ka pasur problem t’i paguajë. Ai thotë se ka pasur qarkullim për të mbuluar shpenzimet dhe për të fituar, ndoshta jo aq sa kishte menduar, mirëpo nuk po punon me humbje.

“Biznesi është në rrugë të mirë, njerëzve iu ka pëlqyer lokali, ndoshta nuk ka shumë njerëz që dalin, pasi që frikësohen nga virusi, por, po, biznesi po shkon mirë, kam paguar qiranë për një vit, po arrijmë të punojmë mirë”, thotë Beiqi.

Kafiteri me rregulla tjera

Manuali i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë për mbrojtje nga përhapja e sëmundjes COVID -19, që shkakton koronavirus, ka vendosur rregullat e lokaleve ndaj klientëve gjatë kohës së pandemisë.

Në këtë manual thuhet se numri maksimal i lejuar i klientëve është 1 person në 8 metër katrorë. Pronarët e lokaleve, po ashtu, janë të obliguar të publikojnë numrin maksimal të lejuar të personave para hyrjes së lokaleve.

Me këto rregulla të caktuara në këtë manual e shumë të tjera, të cilat i pamundësojnë qarkullim më të madh, Beiqi hapi lokalin për të cilin thotë ai, ka shumë shpresë që do të ketë afarizëm të suksesshëm.

“Ne po i respektojmë masat dhe do t’i respektojmë, i gjithë stafi është me maska, secila tavolinë është e pajisur me dezinfektues, distanca në tavolina respektohet siç është e përcaktuar, nuk kemi problem as me inspeksion, pasi po i respektojmë kushtet e vendosura”, thotë ai.

Lajm i mirë hapja e bizneseve të reja

Ndonëse, në kohë pandemie dhe frika për afarizëm të suksesshëm është më e madhe në këtë periudhë, thotë kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në Kosovë është një lajm i mirë nëse ka hapje të bizneseve të reja.

“Hapja e bizneseve të reja në numër të madh në Kosovë çdo herë ka treguar se qytetarët e vendit kanë pasur iniciativa për të filluar biznes të ri, por jo të gjithë kanë pasur suskes, kështu që edhe në kohë të panedmisë janë hapur pasi që është rritur nevoja për disa produkte që para kohës së pandemisë nuk kanë qenë të kërkuara, qoftë për prodhimin e maskave, dorezave dhe preparateve të ndryshme si dezinfektues”, thotë ai.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar numri i bizneseve të regjistruar pothuajse është i njëjtë nuk ka ndonjë lëvizje.

XS
SM
MD
LG