Ndërlidhjet

Rama: Thaçi e ka mbështetjen e Shqipërisë në këtë betejë


Hashim Thaçi dhe Edi Rama, foto nga arkivi.
Hashim Thaçi dhe Edi Rama, foto nga arkivi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se Hashim Thaçi e ka mbështetjen e Shqipërisë, pasi ndaj këtij të fundit, Dhomat e Specializuara në Hagë konfirmuan aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj”, shkruan Rama në Twitter.

Më 5 nëntor, Hashim Thaçi njoftoi se Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën ndaj tij për krime lufte. Ai në një konferencë për media, njoftoi për dorëheqjen nga posti i presidentit të Republikës së Kosovës.

Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten kanë konfirmuar aktakuzën edhe ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Të mërkurën edhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi iu është konfirmuara aktakuza dhe tashmë janë transferuar në Hagë.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG