Ndërlidhjet

Samiti i Sofjes nuk ndryshon pozicionin bullgar ndaj Shkupit


Foto nga samiti i mbajtur në Sofje të Bullgarisë.
Foto nga samiti i mbajtur në Sofje të Bullgarisë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të martën është takuar në Sofje dhe kryeministrin bullgar, Bojko Borisov, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për çështjet e hapura mes dy vendeve, pavarësisht se Bullgaria veçse ka njoftuar Bashkimin Evropian se nuk pranon kornizën negociuese me Maqedoninë e Veriut.

Pala bullgare konteston identitetin sikur edhe gjuhën maqedonase, me pretendimin se ato deri para vitin 1945 kanë pasur “rrënjë bullgare”. Sikur këtë ta pranonte Maqedonia e Veriut, atëherë Bullgaria do të mbështeste nisjen e bisedimeve, por kjo është kundërshtuar nga autoritetet maqedonase.

Takimi në Sofje është zhvilluar në kuadër të samitit për Ballkanin Perëndimor, si pjesë e Procesit të Berlinit, por nuk janë dhënë detaje nga ajo që është biseduar mes dy kryeministrave.

"Unë besoj se ne kemi rinovuar vrullin dhe mbështetjen e dukshme politike për procesin e zgjerimit dhe drejtimin e negociatave të pranimit. Ne, duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta përdorim atë për të mirën e të gjithë qytetarëve," ka deklaruar maqedonas Zaev.

Vetoja bullgare ndërkohë ka shtuar drojën nëse Maqedonisë së Veriut po i përsëritet rasti me Greqinë, e cila për gati 20 vjet bllokoi integrimin evropian të shtetit, për shkak të moszgjidhjes së kontestit me emrin.

Marko Trashanovski nga Instituti për Demokraci, thotë se thotë se zgjidhje mund të arrihet nëse dy palët tregojnë përkushtim dhe heqin dorë nga pozicionet e forta, në të kundërtën, situata mund të jetë edhe më e keqe se ajo me Greqinë.

“Kërkesat për gjuhën maqedonase ne i konsiderojmë të zgjidhura. Gjuha maqedonase e standardizuar ekziston dhe këtë e kemi sqaruar shumë herë. Këtë e dinë edhe pala tjetër, por ndoshta e shfrytëzon për fitimin e pikëve politike në rrethana tjera. Ka shumë argumente për të qenë pesimistë në qëndrimet e palës bullgare. Rezistenca është edhe më e madhe se në rastin me Greqinë, por vendimin atëherë e solli (ish-kryeministri i Greqisë, Alexis) Tsipras, kështu mund të ndodhë edhe në rastin me Bullgarinë ku në fund vendimin e sjell Borisov. Zgjidhja e këtij kontesti ka rëndësi për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e paqes në rajon”, ka deklaruar Trashanovski.

Shpëtim Pollozhani, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi është serioz dhe mund të zgjasë, andaj fton në veçanti palën maqedonase, që të jetë më realiste ndaj çështjeve të hapura.

“Problemi qëndron në faktin se Maqedonia e Veriut me lehtësi të madhe hyri dhe me pretendime të tepërta hyri në këtë dialog, duke harruar se Bullgaria është shtet anëtar i BE-së dhe se ka më shumë miq në institucionet evropiane. Unë mendoj se ky do të jetë një ngërç duke marrë parasysh krizën ekonomike dhe politike në Bullgari. Ky kontest duhet të zgjidhjet me një marrëveshje të pranueshme nga të dyja palët. Mirëpo, Maqedonia e Veriut duhet ta zbresë topin në tokë dhe të jetë pak më realiste për ngjarjet dhe personalitetet historike”, ka deklaruar Pollozhani.

Dy vendet kanë shpresuar se me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë të arritur në vitin 2017 do të zgjidhin dallimet, por në vend të kësaj, ato janë thelluar edhe më shumë duke bërë që palët të akuzojnë njëra-tjetrën jo vetëm për shkeljen e saj, por edhe për sjellje agresive.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG