Ndërlidhjet

MPJD: Kosova të fillojë anëtarësimin në NATO, pastaj dialogun me Serbinë


Prishtinë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë tha se Kosova duhet të fillojë anëtarësimin në NATO dhe pastaj të vazhdojë dialogun me Serbinë.

Reagimi vjen pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se në Kosovë mund të ndodhë një konflikt i llojit të Nagorno Karabakut nëse përpjekjet për kompromis dështojnë.

“Të gjitha përpjekjet ruso-serbe për të minuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon janë të papranueshme për Kosovën, në kundërshtim me vlerat evropiane e universale dhe do të dështojnë ashtu siç kapitulluan turpshëm në Kosovë, në vitin 1999. Kosova do t’i shtojë përpjekjet për fillimin e anëtarësimit në Aleancën Veri-Atlantike - NATO, dhe tek pastaj do të duhej të vazhdonte dialogun me Serbinë”, thuhet në reagimin e MPJD-së në Kosovë.

“Kosova nuk është as Nagorno Karabak, as konflikt i ngrirë. Reagimi dhe krahasimet e qëllimshme të Vuçiqit tregojnë qartazi qëllimin për destabilizim dhe krijimin e tensioneve të reja në rajonin e Ballkanit”, tha MPJD.

Më herët reagoi edhe ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se pret përgjigjen e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s ndaj kërcënimit të Vuçiqit për “luftë të dhunshme”.

Nagorno Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por qeveriset nga armenët etnikë, me mbështetjen e Qeverisë armene.

Azerbajxhani dhe Armenia janë duke luftuar tash e sa javë për kontrollin e tij, ndonëse këtë javë është shpallur një marrëveshje për armëpushim.

Një luftë midis dy vendeve për këtë rajon ka përfunduar në vitin 1994 me armëpushim, por pa marrëveshje të paqes.

“Konflikti në Nagorno Karabak ka treguar shembullin e një konflikti të ngrirë, por kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë në një katastrofë të vërtetë”, tha të enjten Vuçiq.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Negociatat ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian dhe mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG