Ndërlidhjet

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon nisjen e gjykimit në qershor të vitit 2022


Pala mbrojtëse gjatë konferencës statutore.

Në konferencën statusore apo të ecurisë së çështjes pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ka kërkuar që gjykimi nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nisë jo më herët se në verën e vitit 2022. Gjatë kësaj seance, mbrojtja paralajmëroi se do të aplikojë për lirim me kusht të të pandehurve.

Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli, deputetit dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë, aktualisht gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, David Hooper dhe ai i ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Ben Emmerson, thanë se ju duhen të paktën 18 muaj që të kryejnë hetime, në mënyrë që të përgatisin mbrojtjen.

Emmerson tha se mendon se gjykimi mund të zgjasë deri në dy vjet.

Hooper poashtu e quajti "absurde" pretendimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që gjykimi të nisë në qershor të vitit 2021. Ai tha se mbrojtjes i duhet që të ketë qasje në një aktakuzë që ka shkallë më të vogël të redaktimit dhe "materiali duhet të jetë i hapur për mbrojtjen".

Avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit Venkateswari Alagendra dhe ai i Rexhep Selimit, David Young po ashtu thanë se iu duhet kohë e mjaftueshme që të mund të kryejnë hetime të thella.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se në këtë konferencë statusore nuk do të përcaktohet data për nisjen e procesit gjyqësor.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve midis palëve. Në këtë konferencë, prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Mbi 40 mijë faqe material kundër ish-krerëve të UÇK-së

Sipas një parashtrese të Prokurorit të Specializuar dërguar Dhomave të Specializuara për këtë konferencë, e të publikuar në faqën e tyre të internetit, Prokuroria pretendon se për konfirmimin e aktakuzës ka disponuar me material prej rreth 43 mijë faqe, duke përfshirë raporte, deklaratat të dëshmitarëve, fotografi, e mbi 20 orë material audio-vizuel. Prokuroria thotë se mbrojtjes parashikon t'i dorëzojë provat siç janë raportet, fotografitë, dokumentet e UÇK-së, duke përfshirë urdhrat, rregulloret etj. Prokuroria pretendon se lënda e saj disponon me gati 100.000 prova.

Me qëllim të konfirmimit të aktakuzës kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prokuroria e Specializuar në Hagë është mbeshtetur te 153 dëshmitarë dhe synon që përsëri të mbështetet në shumicën e tyre gjatë gjykimit.

"Prokuroria aktualisht parashikon shtimin e afërsisht 50 dëshmitarëve të tjerë në listën e dëshmitarëve për gjykimin, megjithëse numri përfundimtar i dëshmitarëve mund të ndryshojë, varësisht nga rezultati të hetimeve të mbetura", thuhet në këtë parashtresë.

Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, Prokurori i Specializuar brenda 30 ditësh, që nga paraqitja e parë e të akuzuarve në gjykatë, duhet të njoftojë mbrojtjen për çdo material dhe provë që ka në zotërim,si deklarata, dokumete apo fotografi.

Mbrojtja tha se nxjerrja e materialeve duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërkaq gjykatësi propozoi që Prokurorisë t'i jepet dy javë shtesë që të nisë me dorëzimin e materialeve te pala mbrojtëse.

Prokuroria në parashtresë thotë se redaktimi i materialeve është diçka që duhet të bëhet me kujdes, si dhe që përkthimi i materialit mbështetës të aktakuzës në gjuhën shqipe është në proces e sipër.

Mbrojtja: S'ka arsye që të akuzuarit të qëndrojnë në paraburgim

Gjatë kësaj konference, avokati i Thaçit, David Hooper ngriti çështjen e mbajtjes në paraburgim të klientit të tij, duke thënë se së shpejti, pala mbrojtëse "do të aplikojë për lirim me kusht". Ai tha se ka pranuar urdhërrarrestin e lëshuar ndaj Thaçit, por sipas tij, ajo ka pasur redaktime, prandaj ai kërkoi që t'i dorëzohen argumentet e përdorura në urdhëarrestin ndaj klientit të tij.

“Burgimi është përjashtim dhe në kushtet e mungesës së kritereve, atëherë prezumohet lirimi”, tha Hooper.

Mbrojtësi i Veselit, Ben Emmerson tha se nuk ka arsye që Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi të mbeten në parabugim, duke shtuar se nuk ekizston rreziku i arratisjes së tyre, por sipas tij, Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë bërë "ndrëhyrjen në rregullin e drejtësisë".

"Prokuroria duhet të tregojë se pse këta katër të akuzuar duhet të qëndrojnë në burg", tha ai.

Nga çlirimtar në i pandehur: Kush është Hashim Thaçi?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:04:36 0:00

Emmerson: Nuk ka pasur "ndërmarrje të përbashkët kriminale"

Duke komentuar aktakuzën, Emmerson tha se “nuk ka ekzistuar ndërmarrje e përbashkët kriminale ashtu siç përcaktohet në aktakuzë dhe nuk ka baza të tjera ligjore për ta quajtur zotin Veseli përgjegjës për aktet kriminale të të tjerëve”.

Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Avokati Emmerson shtoi se UÇK-ja ishte një lëvizje dhe kryengritje popullore spontane, “e organizuar në mënyrë minimale për të mbrojtur popullatë civile nga gjenocidi dhe kriminelët serbë”.

“Më shumë se 10,000 civilë shqiptarë janë vrarë nga forcat serbe, në masakra të planifikuara dhe vendi u përfshi nga kaosi dhe nga dhuna. Shqiptarët u varrosën në varre masive nga forcat serbe dhe shumë pastaj u zhvarrosën dhe ka shumë të tjerë, që trupat e tyre gjenden në Serbi dhe janë fshehur atje”, tha ai.

Sipas Emmersonit, aktakuza e Prokurorisë, mund të ketë edhe prova "false".

"Aktakuza e Prokurorisë është ndërtuar me arna, janë bashkuar disa akuza të ndryshme, nga zona të ndryshme të Kosovës, janë përmendur shumë emra njerëzish dhe njerëz të ndryshëm që pretendojnë se kanë qenë anëtar të UÇK-së kanë sajuar të gjitha këto akuza dhe janë bashkuar të gjitha to në këtë ndërmarrje të përbashkët kriminale që paraqet Prokuroria. Nga përvoja e mëparshme në Tribunalin për ish-Jugosllavi na ka treguar se mund të ketë prova false që janë paraqitur në shumë raste nga Prokuroria. Ndoshta Prokuroria nuk e ka ditur që ato janë false, megjithatë ne duhet të bëjmë një ekzaminim të provave që paraqet Prokuroria", tha ai.

Në fund të konferencës statusore, gjykatësi njoftoi se seanca e radhës do të mbahet në mesin e muajit dhjetor.

Prokuroria akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për kryerjen e krimeve të luftës ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Prokuroria pretendon se viktimat ishin kryesisht njerëz që gjatë kohës së luftës perceptoheshin si bashkëpunëtorë të forcave serbe, të zyrtarëve apo institucioneve shtetërore apo edhe që nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së.

Kjo, sipas aktakuzës, përfshinte edhe personat e lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG