Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut do të shpallë gjendje krize për përballje me pandeminë


Shkupi
Shkupi

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Maqedonisë së Veriut e ka vlerësuar si mjaft serioze gjendjen me pandeminë në vend, andaj edhe i ka propozuar qeverisë miratimin e vendimit për shpalljen e gjendjes së krizës në gjithë territorin e vendit në kohë kohëzgjatje prej 30 ditëve.

Nëse vendimi miratohet, në përballje me pandeminë do të përfshihen edhe Armata e Maqedonisë së Veriut, ndërsa qeveria do të mund të administrojë edhe me spitalet private dhe me kapacitetet tjera për përballje sa më efikase me koronavirusin e ri që shkakton sëmundjen COVID-19.

Shpallja e gjendjes së krizës nuk nënkupton edhe aplikim të orës policore.

Zoran Zaev
Zoran Zaev

“Më së voni të premten në mbrëmje do të mbajmë mbledhjen e qeverisë dhe nëse kryhen të gjitha aspektet formale juridike, ne do të miratojmë vendimin. Nuk përjashtohet edhe masa tjera, si orë policore, por këtë për momentin e nuk e kemi paraparë. Mbetet rekomandimi për të mos u grumbulluar pas orës 22.00 dhe respektimin e të gjitha masave tjera që janë në fuqi”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë që drejtohet nga presidenti Stevo Pendarovski.

Maqedonia e Veriut të mërkurën ka regjistruar mbi 1.400 të infektuar, shifër kjo më e larta që nga paraqitja e rastit të parë me koronavirusin e ri në muajin shkurt. Edhe rastet e vdekjeve vazhdojnë të jetë të larta. Në tri ditët e para të kësaj jave janë regjistruar 91 të vdekur duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 1.397.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka thënë se me rëndësi të madhe në betejën me pandeminë janë qytetarët, pa ndihmën e të cilëve gjendja nuk mund të stabilizohet.

Venko Filipce
Venko Filipce

“Ne nuk do të mund të rezistojmë edhe shumë gjatë nëse infektimet vazhdojnë me këtë dinamikë. Spitalet do të mbushen dhe do të vijmë në situatë që të mos kemi shtretër, por edhe kuadër të mjaftueshëm për trajtimin e pacientëve. Shpresoj se masat do të japin rezultate, por vetëm nëse respektohen masat. Për dallim prej para disa javësh, tani transmetimi i virusit është ulur ndjeshëm, nga 1.5 në më pak se një”, ka deklaruar Filipçe.

Ministria e Shëndetësisë, të enjten, ka bërë të ditur për shtrimin në spitalet e vendit të më shumë se 40 personave vetëm në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të hospitalizuar në 438 në repartet infektive në Shkup, shumica prej të cilëve janë në oksigjeno-terapi.

Lidhur me gjendjen epidemiologjike, opozita maqedonase edhe një herë ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, por edhe hetimin e vdekjeve të dyshimta.

“Vala e dytë e pandemisë ka treguar se sa keq menaxhohet sistemi shëndetësor në shtet nga ana e Venko Filipçes (ministër i shëndetësisë). Tani është koha që Prokuroria të hetojë trajtimin e pacientëve në spitalin e Shtipit pasi numri i viktimave po merr përmasa shqetësuese”, ka deklaruar deputeti i VMRO DPMNE-së, Ivan Jordanov pas njoftimeve mbi vdekjen e një pacienteje 40- vjeçare në këtë qytet për shkak të mungesës së oksigjenit.

Rasti është duke u hetuar nga inspektorati shtetëror sanitar, por edhe organet tjera shtetërore pasi denoncimit që bëri vajza e viktimës për trajtim joadekuat mjekësor jo vetëm ndaj viktimës, por edhe të afërmeve të saj. Denoncime të tilla në rrjetet sociale ka pasur edhe nga familjarë të viktimave të tjera.

XS
SM
MD
LG