Ndërlidhjet

Situata me pandeminë në Maqedoninë e V. po stabilizohet, thotë ministri i Shëndetësisë


Shkup.

Maqedonia e Veriut javën e kaluar ka regjistruar pikun e të infektuarve me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19 dhe gjendja në këtë vend, sipas ministrisë së Shëndetësisë, ka nisur të stabilizohet.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se piku është arritur më 17 nëntor kur janë regjistruar 1.407 raste me koronavirus, apo 41.2 për qind të infektuar, nga numri i përgjithshëm i testeve të bëra.

“Që atëherë kemi një nivel të qëndrueshëm, pra kemi një numër thuajse të njejtë të të infektuarve në bazë ditore. Madje ka një rënie të lehtë që mund të mos vërehet, por sistemi shëndetësor dhe personeli mjekësor e ndiejnë atë”, ka deklaruar ministri Filipçe.

Ai bëri të ditur edhe për uljen fuqisë së transmetimit të infektimit nga një njeri tek tjetri. Nëse më parë një i infektuar mund të përçonte virusin deri tek 1.5 persona, tani kjo shifër është ulur nën një person.

Pavarësisht kësaj, Maqedonia e Veriut ndodhet në krye të listës së shteteve me numrin më të larta të vdekjeve nga COVID-19.

“Fatkeqësisht, numri i vdekjeve është rritur. Javën e kaluar ajo u rrit me 45% krahasuar me një javë më parë. Numri mesatar i pacientëve të shtruar në spital në dy javët e fundit është rreth 1,280. Por, gjithashtu inkurajojnë shifrat e larta të personave të shëruar, që thuajse janë të njëjta me numrin e të infektuarve”, ka theksuar ministri i Shëndetësisë.

Ai tha se institucionet për momentin nuk po mendojnë për shtrëngim të masave, apo aplikimin orës policore meqë siç tha, masat që janë në fuqi pritet që të japin edhe më shumë efekte në ditët në vijim.

“Ora policore pas orës 21.00 nuk do të ndryshojë asgjë sepse atëherë qytetet janë thuajse të boshatisura. Objektet hoteliere nuk funksionojnë dhe grupimi i hapësirave publike është i ndaluar, kështu që nuk ka nevojë për kufizime shtesë”, ka deklaruar Filipçe.

Maqedonia e Veriut të enjten ka regjistruar 30 të vdekur dhe 1.160 të infektuar nga rreth 3 mijë teste të bëra. Deri më tani, në këtë vend, me COVID-19 janë të diagnostikuar 58.600 persona, prej tyre 1.630 kanë humbur jetën, 36.064 janë shëruar ndërsa raste aktive janë 20.914 persona.

XS
SM
MD
LG