Ndërlidhjet

Synimet e FSK-së, ushtri moderne dhe anëtare e NATO-s


Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës do të transformohet në një ushtri moderne që do të mund të kontribuojë në paqen në rajon dhe botë, thanë krerët e institucioneve shtetërore të Kosovës në Ditën e FSK-së.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, në një fjalim përmes video-lidhjes, tha se synimi i Kosovës është anëtarësimi në aleancën e NATO-s.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik i Republikës sonë, për të cilën do të angazhohemi me gjithë potencialin tonë”, tha Osmani, duke shtuar se FSK-ja tashmë është e gatshme që të marrë pjesë në operacione në mbarë botën me qëllim që t’i kontribuojë paqes dhe sigurisë.

FSK-ja, sipas Osmanit, po shndërrohet në një “ushtri moderne falë këmbëngulësisë dhe sakrificës të vajzave dhe djemve tanë”, por edhe shteteve përkrahëse të Kosovës, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se qeveria që ai udhëheqë ka plane konkrete për transformimin e FSK-së në një ushtri moderne.

“FSK do të jetë një ushtri moderne dhe profesionale që do të avancojë krahas vendeve të zhvilluara dhe ushtrive bashkëkohore me qëllim që të jetë përherë e gatshme për të garantuar paqen, stabilitetin, sigurinë e gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha ai, duke shtuar se synimi është që FSK-ja të jetë pjesë e NATO-s.

Në këtë ngjarje për shënimin e Ditës së FSK-së, Hoti foli edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se ky proces duhet të mbyllet me njohje reciproke “sepse është e qartë se asnjë marrëveshje gjysmake nuk garanton stabilitet në rajon”.

Hoti tha se në këtë proces, Qeveria e Kosovës ka vendosur si temë të parë çështjen e të pagjeturve.

“Për fat të keq, edhe sot e kësaj dite, në Serbi vazhdojnë të gjenden varreza masive, me eshtra të civilëve shqiptarë të Kosovës. Vrasjet e civilëve shqiptarë janë bërë në mënyrë të organizuar nga aparati shtetëror i kohës së Millosheviqit dhe ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, që të shtojnë presionin ndaj Serbisë, në mënyrë që Beogradi të mos pengojë edhe më tej kërkimet dhe gjetjen e këtyre varrezave”, tha Hoti.

“Nga ana e saj, Republika e Kosovës ka dhënë përsëritshëm prova të fuqishme, se është për paqe, dhe për marrëdhënie të mira me të gjithë. Kosova i beson drejtësisë dhe është e përkushtuar që drejtësia të vihet në vend për secilin rast, krim të pazbardhur. Populli i Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës kanë bërë luftë të drejtë, mbrojtëse, për liri dhe pavarësi. Ne nuk kemi çka të fshehim, nuk kemi pse të pengojmë punën e drejtësisë”, tha Hoti duke shtuar se për dy dekada Kosova ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë që drejtësia të vihet në vend.

Ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni tha se 27 nëntori është “dita e kujtimit për rrugëtimin e kaluar së bashku dhe njëkohësisht ditë e reflektimit për rrugën që po e trasojmë. Ai shtoi se gjatë këtij viti, ministria dhe FSK-ja kanë përmbushur të gjitha obligimet e tyre vjetore.

Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca të armatosura. Është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës, të zgjasë dhjetë vjet. Ky vendim i parlamentit kosovar nuk u mirëprit nga zyrtarët e NATO-s.

XS
SM
MD
LG