Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se deri në orën 11:00 në Podujevë kanë votuar 8.27 për qind e votuesve apo 7,223 persona ndërsa në Mitrovicë të Veriut 12.62 për qind apo 2,942 votues.
Në këto dy komuna të Kosovës të dielën janë duke u zhvilluar zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave.
Mandati i kryetarëve të rinj do të jetë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në tetor të vitit 2021.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, të drejtë vote kanë 87 mijë e 381 votues, të cilët do të mund të votojnë në 45 qendra të votimit me 115 vendvotime.
Në garë për të parin e Podujevës janë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.
Zgjedhjet në Podujevë, ishin paraparë të mbaheshin më 15 mars, por për shkak të përhapjes së koronavirusit, ky proces u pamundësua.
Për dallim prej Podujevës, në Mitrovicën e Veriut garojnë katër kandidatë për kryetar komune.
Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvedosje, Millan Radojeviq nga Lista Serbe, Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Dushan Millunoviq, i cili është kandidat i pavarur.
Në këtë komunë do të jetë të hapura shtatë qendra të votimit me 27 vendvotime, derisa të drejtë vote kanë 23 mijë e 313 qytetarë.
Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti.
Kurse Mitrovica e Veriut mbeti pa kryetar më datën 3 qershor, kur u votua Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, mori dy pozita, atë të zëvendëskryeministrit dhe mori në udhëheqje Ministrinë e Pushtetit Lokal.
Rakiq ishte kryetar i Mitrovicës së Veriut për dy mandate.