Ndërlidhjet

Disa të vrarë pasi një makinë goditi këmbësorët në Trier të Gjermanisë


Trier, Gjermani.

Një veturë ka shkelur disa njerëz në një zonë këmbësorësh në qytetin perëndimor Trier në Gjermani, duke vrarë katër prej tyre, përfshirë një foshnjë, thotë policia.

Shoferi, një vendas 51 vjeçar, është arrestuar. Rrethanat e incidentit nuk janë ende të qarta.

Dëshmitarët thanë se njerëzit ulërinin në panik dhe disa u hodhën në ajër nga një veturë që udhëtonte me shpejtësi të lartë.

Kryebashkiaku i qytetit e përshkroi skenën si "të tmerrshme" dhe tha se deri në 15 njerëz ishin plagosur, disa prej tyre rëndë.

Incidenti ndodhi rreth orës 13:45 me kohën lokale në rrugën e këmbësorëve Fleischstrasse të Trierit, afër portës së famshme Romake të qytetit, Porta Nigra.

Një treg i Krishtlindjeve që mbahet zakonisht në zonë u anulua këtë vit për shkak të pandemisë COVID-19, por dyqanet ishin të hapura.

I dyshuari voziti rreth 1 kilometër përpara se të ndalohej nga një makinë policie, tha zëdhënësi i policisë së Trierit, Karl-Peter Jochem.

"Sa i përket motivit të burrit, nuk mund të themi asgjë akoma", shtoi ai.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha në një deklaratë se lajmet nga Trier janë shumë të trishtueshme.

Incidenti ka tronditur Trier, një qytet mesjetar me rreth 110,000 njerëz dhe 720 km në perëndim të Berlinit, afër kufirit me Luksemburgun. Policia u ka thënë njerëzve që të mos ndajnë fotografi dhe pamje të incidentit në rrjetet sociale.

Siguria në zonat e këmbësorëve në të gjithë Gjermaninë u forcua pasi një militant islamik përplasi një kamion të rrëmbyer në një treg të Krishtlindjeve në Berlin më 2016, duke vrarë 12 persona dhe duke plagosur dhjetra të tjerë.

Ai u qëllua për vdekje nga policia katër ditë më vonë.

XS
SM
MD
LG