Ndërlidhjet

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, shërohet nga koronavirusi


Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se është shëruar nga koronavirusi, dhe se është rikthyer në zyrën e saj në presidencë, për të vazhduar me angazhimet e saj.

Ajo ka qëndruar dy javë në vetizolim dhe aktivitetet i ka zhvilluar kryesisht online.

“Kam bërë thirrje gjithnjë, e tani pas ekperiences time dhe të familjes time me virusin, ju lutem sërish që të bëni kujdes të shtuar e të vazhdueshëm. Tashmë virusi është çdokund. Ne ishim me fat ta luftojmë virusin me sukses, por, fatkeqësisht, ky nuk është fati i të gjithëve”, ka shkruar në rrjetet sociale, Osmani.

Të martën pas një takimi të Komitetit për menaxhimin e situatës me pandeminë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se “situata me pandeminë në Kosovë është mjaft serioze, por nën kontroll”.

Ai ka paralajmëruar se masat aktuale do të mbesin në fuqi dhe se për festat e fundvitit do të ketë masa tjera për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Rreth dy javë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke kufizuar lëvizjen e lirë në disa komuna nga ora 19:00 e deri në 05:00 të mëngjesit.

Kryeministri tha se deri më tani janë testuar 145 mijë qytetarë, prej të cilëve 38 për qind kanë dalë pozitivë, ndërsa rreth 62 për qind janë shëruar.

Të martën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe 10 viktima nga koronavirusi i ri. Sipas IKSHPK-së, nga 1.375 mostra të testuara janë konfirmuar edhe 521 raste të reja me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Në bazë të raportit, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 585 pacientë ndërsa raste aktive janë 13.505.

Me këto të dhëna, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 40.117, prej të cilëve 1.026 kanë vdekur ndërsa 25.586 janë shëruar.

Rastet e para me koronavirus janë shënuar në mes të muajit mars.

XS
SM
MD
LG