Ndërlidhjet

Zemaj: Do të shtohen kapacitetet me oksigjen


Ilustrim.

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, ka thënë të premten se qytetarët nuk duhet të shqetësohen për furnizime me oksigjen në institucionet publike shëndetësore në Kosovë.

“Të gjitha institucionet tona shëndetësore bëjnë furnizimin e rregullt me oksigjen duke garantuar jetën e pacientëve konform ligjeve dhe etikës profesionale”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me zyrtarë të disa spitaleve në Kosovë ditë më parë, të cilët kanë thënë se mungesa e oksigjenit të mjaftueshëm është ndër sfidat kryesore teksa po përballen me koronavirus.

Sipas Zemajt, shumë shpejt do të bëhet vendosja e tankeve të reja nga Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës dhe do të shtohen kapacitetet me oksigjen për gati 20,000 litra.

Zemaj: Shumë shpejt do të nisim me kryerje të testeve serologjike

Ministri Zemaj ka thënë se institucionet publike shumë shpejt do të nisin të bëhen edhe teste serologjike, për të kuptuar më shumë për statusin imunologjik të popullatës, në raport me koronavirusin.

Përmes testeve serologjike një person kupton nëse ka tejkaluar koronavirusin dhe nëse ka krijuar antitrupa.

Po ashtu, Zemaj ka bërë të ditur se shumë shpejt edhe gjashtë qendra rajonale do të mund të kryejnë teste PCR për koronavirus, të cilat tregojnë nëse një person është i infektuar me këtë virus në kohën e testimit.

Kategorizim i ri i komunave

Zemaj ka thënë se pas analizimit të situatës shëndetësore në Kosovë me koronavirus, autoritetet kanë përditësuar kategorizimin e ri të qyteteve në zona, në bazë të rrezikshmërisë së përhapjes së koronavirusit.

Në zonën e kuqe janë 21 komuna: Prishtina, Fushë -Kosova, Graçanica, Gjakova, Zveqani, Zubin Potoku, Obiliqi, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Lipjani, Kamenica, Drenasi, Kllokoti, Vitia, Podujeva, Peja, Vushtrri, Shtime, Ferizaj, Gjilan.

Në zonën e verdhë janë 10 komuna: Suhareka, Shterpca, Klina, Hani i Elezit, Skënderaj, Istogu, Parteshi, Rahoveci, Prizreni dhe Ranilluga.

Në zonën e gjelbër janë 7 komuna: Malisheva, Deçani, Novo-Berda, Kaçanik, Junik, Dragash dhe Mamushë.

Në qytetet që janë në zonën e kuqe, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve si dhe ndalohen hyrjet daljet në këto komuna deri në ora 05:00.

Komunat që janë në zonën e verdhë u lejojnë operatorëve ekonomikë që të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00. Pas këtij orari, shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë mund të punojnë me shërbimin “merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Në komunat e zonës së gjelbër, që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.

Të premten autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 478 raste të​ reja me koronavirus, pas marrjes së​ 1,530 mostrave.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar 11 viktima.

Sipas të dhënave të këtij Instituti të premten janë regjistruar edhe 690 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 13,561.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 41,777 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Prej tyre 1,073 pacientë kanë vdekur.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në Shërbimin Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka thënë se në spitalet e Kosovës aktualisht janë rreth 1,000 pacientë të shtrirë.

Prej tyre, rreth 700 janë në oksigjenoterapi, derisa rreth 50-60 janë në intubim apo po trajtohen me makinat e frymëmarrjes, CPAP.

XS
SM
MD
LG