Ndërlidhjet

Tridhjetë të vdekur dhe 1,100 të infektuar me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut


Ilustrim.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të premten 30 viktima nga koronavirusi, 1,100 të infektuar si dhe 585 persona të shëruar.

Të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë i referohen testimit të 2,824 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë të vendit.

Viktimat janë, 12 në Shkup, tri në Prilep, nga dy në Strugë dhe Manastir ndërsa nga një në nëntë qytete tjera.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi, në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 66,330 persona.

Prej tyre 1,887 kanë vdekur, 42.241 janë shëruar ndërsa aktive janë 22,212 raste.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka bërë të ditur se vaksinat e para kundër koronavirusit në Maqedoninë e Veriut pritet të arrijnë më së voni deri në muajin shkurt ose mars të vitit 2021.

Filipçe tha se shteti do të furnizohet me vaksinën e zbuluar nga Oxford, e cila do të arrijë përmes mekanizmit COVAX.

“Janë siguruar 833 mijë vaksina për 400 mijë qytetarë përmes mekanizmit COVAX, e cila është metodë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Aleancës globale për imunizim ku do të marrin pjesë të gjitha vendet fqinje, përveç atyre që janë anëtare të BE-së, të cilat mund të bëjnë marrëveshje direkte me ndonjë kompani”, ka deklaruar Ministri Filipçe.

Vaksinat do të jepen në bazë të një liste me prioritet ku fillimisht do të përfshihet personeli mjekësor i ekspozuar direkt në qendra COVID, personeli që i trajton pacientët, mikrobiologët nëpër laboratorë, si dhe të sëmurët kronikë me sëmundje kardiovaskulare, ata me sëmundje të frymëmarrjes dhe me sëmundje malinje, si dhe pacientët e moshuar.

Ministria e Shëndetësisë gjithashtu ka njoftuar se bërë kërkesë për të lidhur marrëveshje të drejtpërdrejta edhe me dy kompanitë botërore AstraZenica dhe Pfizer që tani më kanë zbuluar vaksinën kundër koronavirusit të ri.

Ministri i Shëndetësisë tha se vaksina për këto kategori të qytetarëve do të jepet falas.

XS
SM
MD
LG