Ndërlidhjet

Irani thotë se do ta vazhdojë mbështetjen për Qeverinë siriane


Presidenti i Iranit, Hassan Rohani.
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se vendi i tij do të vazhdojë mbështetjen për Qeverinë siriane si një “aleat stretegjik” deri në “fitoren përfundimtare” në luftën civile të vendit.

Faqja zyrtare e internetit e Rohanit tha se ai i bëri deklaratat më 8 dhjetor gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm sirian, Faisal Mekdad, në Teheran. Kjo është vizita e parë zyrtare e Mekdad jashtë vendit që kur ai mori postin e tij në fund të muajit të kaluar, pas vdekjes së paraardhësit të tij, Wallid al-Muallem.

Së bashku me Rusinë, Irani i ka dhënë mbështetje të rëndësishme ushtarake presidentit sirian, Bashar al-Asad, gjatë konfliktit sirian, i cili filloi me një goditje të protestuesve anti-qeveritarë në mars të vitit 2011. Më shumë se 400.000 njerëz janë vrarë dhe miliona janë zhvendosur.

Rohani gjithashtu i tha Mekdad se Damasku duhet të vazhdonte të përballej me Izraelin "deri në çlirimin e të gjitha tokave të okupuara", përfshirë Rrafshnaltën e Golanit, të cilat Izraeli i okupoi nga Siria në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.

Irani dhe Siria nuk e njohin Izraelin, dhe Teherani mbështet grupe militante anti-izraelite të tilla si grupi militant palestinez, Hamas dhe Hezbollah i Libanit.

Izraeli akuzon Iranin për ndërtimin e pranisë së tij ushtarake në Siri dhe ka goditur vazhdimisht objektet dhe pozicionet të lidhura me Iranin, të destinuara për luftëtarët e Hezbollahut në vendin e shkatërruar nga lufta.

XS
SM
MD
LG