Ndërlidhjet

Kërkohen dënime të gjata për të dyshuarit e sulmit në Charlie Hebdo


Paris, Francë
Paris, Francë

Prokurorët francezë kërkuan dënime nga pesë vjet deri në burgim të përjetshëm për 14 bashkëpunëtorë të dyshuar të personave që kanë vrarë karikaturistë dhe pengje në një dyqan hebre në Paris, në janar të vitit 2015.

Prokurorët e bënë kërkesën të martën, ndërsa vendimi i gjyqit pritet javën e ardhshme.

Gjashtëmbëdhjetë njerëz janë vrarë gjatë pengmarrjes dhe sulmit në javoren satirike Charlie Hebdo, e cila ka publikuar karikatura të Profetit Muhamed, duke shkaktuar zemërim në të gjithë botën myslimane.

Të tre sulmuesit janë vrarë nga policia në një shkëmbim zjarri.

Një zyrtar policor ka humbur jetën po ashtu.

Të 14 të dyshuarit që kanë dalë në gjyq në muajin shtator, akuzohen për sigurim të mbështetjes logjistike për sulmuesit dhe pengmarrësit.

Shumë prej tyre kanë pranuar se kanë qenë të përfshirë në sigurimin e armëve, makinave ose pajisjeve të tjera për sulmuesit, por kanë mohuar se i kanë ditur planet e tyre.

Tre nga të dyshuarit po gjykohen në mungesë.

Prokurorët kërkuan burgim të përjetshëm për Ali Riza Polat, 35 vjeç, me shtetësi franceze dhe turke.

Prokurorët kërkuan burgim të përjetshëm dhe 30 vjet burgim edhe për dy të dyshuar të tjerë, vendndodhja e të cilëve nuk dihet.

Karikaturat e botuara nga Charlie Hebdo kanë qenë po ashtu në qendër të një sulmi tjetër vdekjeprurës, që ka ndodhur në tetor të këtij viti, pranë Parisit.

Një adoleshent çeçen i ka prerë kokën një mësuesi francez pak ditë pasi ai ka treguar karikaturat e Profetit Muhamed në një orë për lirinë e shprehjes.

Sulmuesi është qëlluar për vdekje nga policia franceze, ndërsa është varrosur këtë javë në fshatin e familjes së tij, në rajonin rus të Çeçenisë.

XS
SM
MD
LG