Ndërlidhjet

Zemaj: Numri i të vdekurve me koronavirus mbetet i lartë


Ilustrim.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë të premten se autoritetet shëndetësore të këtij vendi kanë vërejtur stagnim të rritjes së rasteve të infektimit në javët e fundit në Kosovë.

Megjithatë, ai ka thënë se respektimi i masave që janë në fuqi, duhet të vazhdojë patjetër dhe me intensitet të shtuar, meqë spitalet janë të mbingarkuara.

“Në ecurinë e pandemisë është vërtetuar se numri i vdekjeve mbetet i lartë edhe disa javë pas fillimit të rënies së numrit të rasteve”, ka thënë Zemaj.

Përgjatë konferencës, ai ka bërë të ditur se pas analizimit të situatës shëndetësore në Kosovë me koronavirus, autoritetet kanë përditësuar kategorizimin e ri të qyteteve në zona, në bazë të rrezikshmërisë së përhapjes së koronavirusit.

Në zonën e kuqe janë 16 komuna, në atë të verdhë nëntë komuna, derisa në zonën e gjelbër 13 komuna.

Në qytetet që janë në zonën e kuqe, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve si dhe ndalohen hyrjet daljet në këto komuna deri në ora 05:00.

Komunat që janë në zonën e verdhë u lejojnë operatorëve ekonomikë që të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00. Pas këtij orari, shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë mund të punojnë me shërbimin “merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Në komunat e zonës së gjelbër, që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar të premten 590 raste të​ reja me koronavirus, pas marrjes së​ 1,775 mostrave.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar 13 viktima.

Përmes një konference për media, drejtori i këtij Instituti, Naser Ramadani ka thënë se autoritetet kanë regjistruar edhe 696 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 11,935.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 45,594 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Prej tyre 1,174 pacientë kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG