Ndërlidhjet

Ndërpriten kërkimet në Kizhevak


Serbi- Në fshatin Kizhevak, afër Rashkës më 4 dhjetor 2022 nisën gërmimet për gjetjen e viktimave shqiptare të luftës

Gjatë gërmimeve në varrezën masive të Kizhevakut në Rashkë të Serbisë, autoritetet deri më tash kanë bërë tërheqjen e mbetjeve mortore të 4 deri në 5 personave. Kjo është bërë e ditur në konferencën për media të Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit në Kosovë.

Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka njoftuar se kërkimet zyrtare në këtë varrezë masive kanë nisur dy javë më herët dhe se terreni ka qenë mjaft i vështirë.

"Dje për shkak të motit janë detyruar që të ndërpresin punën, sepse javën e kaluar ka pasur shumë shi dhe pritet që shumë shpejtë të bie edhe borë”, tha Gërxhaliu.

“Deri më tash janë tërhequr ato pjesë kockore që kanë qenë në sipërfaqe pas gjetjes. Të njëjtat janë ekzaminuar në aspektin mjeko-ligjor, janë marrë mostrat për AND, dhe para se t’i qasemi punës në pranverë, do t’i kemi edhe rezultatet e identifikimit, me çka do ta dimë edhe cilit regjion i takojnë, sepse do të jenë të sakta”, shtoi ai.

Zyrtarët njoftuan se pjesa tjetër e lokacionit është konservuar me standarde pesë-shtresore, me masa gjeoplastike, të cilat nuk lejojnë lëvizjen e as lagien e vendit. Për të ofruar siguri është ndërtuar edhe një çati në pjesën e epërme.

Pamje nga gërmimet në Kizhevak
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00

Varreza masive në Kizhevak është e pesta varrezë masive me viktima shqiptare që zbulohet në territorin e Serbisë.

Bëhet fjalë për një minierë ku për vite të tëra janë hedhur gurë dhe mbeturina.

Zbulimi i saj, sipas Gërxhaliut, është bërë fal imazheve satelitore te Ushtrisë amerikane, që janë siguruar përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

Zhvarrosja e trupave në vendin e ish-minierës "Kizhevak", afër kufirit midis Serbisë dhe Kosovës, filloi më 30 nëntor.

Aspekti mjeko-ligjor menaxhohet nga një ekip i ekspertëve mjeko-ligjorë serbë dhe ekspertë nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), përfaqësues të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) dhe delegacioni i Kosovës i Grupit Punues për Personat e Zhdukur, që është i pranishëm në rolin e vëzhguesit.

Vlerësohet se në këtë lokacion mund të jene mbetjet prej shtatë deri 20 personave, ka deklaruar për REL Matthew Holliday, kreu i Programit të Ballkanit Perëndimor të ICMP më 2 dhjetor.

Ai ka shtuar se kjo varrezë masive është "ndoshta e lidhur me zhvarrosjen në Rudnicë afër Rashkës disa vjet më parë" dhe se viktimat e gjetura në vendin e ri ishin "të lidhura me të njëjtën ngjarje në Kosovë në 1999".

Në një njoftim të Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Personat e Zhdukur thuhej se vendndodhja "Kizhevak" ka qenë objekt i hulumtimit dhe kërkimeve për pesë vitet e fundit, bazuar në urdhrin e Prokurorisë së Krimeve të Luftës.

Që nga viti 2001 e deri më sot, në territorin e Serbisë, në 4 lokacione janë gjetur varreza masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë.

Sipas të dhënave të Zyrës për persona të zhdukur të UNMIK-ut, në Batajnicë, në afërsi të Beogradit, në vitin 2001 janë zbuluar 744 trupa. Të njëjtin vit, në Petrovo Selo, në Serbinë Lindore, janë gjetur 61 trupa. Në liqenin Peruqac, në vitin 2001, është zbuluar varrezë masive me 84 trupa.

Për herë të fundit, varrezë masive është zbuluar në vitin 2013, në Rudnicë, në jugperëndim të Serbisë, në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinë. Aty janë gjetur mbetjet mortore të 52 personave.

“Pandemia nuk i ndaloi kërkimet"

Drejtuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur kanë prezantuar edhe detaje të tjera të punës gjatë këtij viti, kryesisht të ndërlidhura me proceset e gërmimit në disa lokacione edhe brenda Kosovës.

“Pavarësisht pandemisë, ne nuk i kemi ndalur kërkimet për personat e pagjetur, ku kemi arritur që në 5 lokacione të gjejmë mbetje mortore nga lufta e vitit 1999”, tha Ramë Manaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur.

Gërmimet janë kryer në 4 lokacione në varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës, në Suriganë, Polanë të Istogut dhe lokacionin Stanaj në Gjilan.

"Presim që gjatë këtij viti të bëjmë gërmime edhe në Rahovec. Kjo varet nëse do të lejojnë kushtet e motit për një gjë të tillë”, shtoi Manaj.

Kurse drejtori i Mjekësisë Ligjore përmendi gërmimet e tjera në Serbi, përkatësisht në Stavlak, po ashtu një minierë, ku dyshohet për varrezë masive.

“Kemi ekzaminuar dhe hapur edhe 3 kanale nga 20 metra të kontrollit në një pjesë të Kozarevës, vend ky të cilin e kemi hapur edhe para 5 viteve, por për shkak të procedurave ligjore është dashur që të lëshohet urdhëresa edhe për pjesën që ne kemi dyshuar. Por, gërmimet kanë rezultuar negative”, tha Gërxhaliu.

Më shumë 1.640 njerëz nga Kosova, shumica shqiptarë, ende konsiderohen si të pagjetur që nga përfundimi i luftës më 1999.

XS
SM
MD
LG