Ndërlidhjet

Shkupi i dëshpëruar me konkluzionet që pritet të miratohen nga BE-ja


Flamuri i Maqedonisë së Veriut dhe ai i Bashkimit Evropian.
Flamuri i Maqedonisë së Veriut dhe ai i Bashkimit Evropian.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ka shprehur dëshpërimin e saj nga konkluzionet që pritet të miratohen nga Këshilli Evropian të enjten. Në këto konkluzione pritet të konfirmohet vetoja bullgare për kornizën negociuese të Maqedonisë së V. me Bashkimin Evropian.

BE-ja, përmes këtyre konkluzioneve, pritet t’iu bëjë thirrje vendeve të rajonit të Ballkanit që t’i zgjidhin mospajtimet e tyre bilaterale me fqinjët, përfshirë kontestet rreth kufijve, siç është edhe rasti mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut me rastin e konkluzioneve të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) shpreh zhgënjim që BE nuk arriti të marrë një vendim pozitiv për të miratuar Kornizën e Negociatave, e cila do të mundësonte konferencën e parë ndërqeveritare midis BE dhe Maqedonisë së Veriut. Fatkeqësisht, u konfirmua vetoja e Bullgarisë, e cila nuk lejon fillimin e negociatave të vendit tonë me BE-në, megjithëse sipas të gjitha raporteve të institucioneve evropiane, ne i përmbushëm të gjitha kriteret për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare që do të shënonte fillimin e negociatave me BE-në”, thuhet në reagimin e qeverisë maqedonase.

“Bashkimi Evropian nuk mbajti premtimin e saj dhe për momentin nuk morëm përgjigjen e duhur. Bullgaria dhe BE përsërisin gabimin në lidhje me Maqedoninë e Veriut. Gabimi historik në 2019 është tani një gabim i madh gjeostrategjik i Bashkimit Evropian. Pritjet e justifikuara të qytetarëve tanë, të nxitura dhe të inkurajuara nga BE dhe vendet anëtare, janë tradhtuar. Besimi i një pjese të madhe të qytetarëve të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, është rrënuar. Ky gabim është motivi për një depërtim edhe më serioz të interesave të palëve të treta në zemrën e Evropës”, thuhet në reagimin e qeverisë në Shkup.

Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev thotë se vetoja bullgare nuk do të ndryshojë pozicionin e saj, se për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin nuk do të ketë bisedime.

“Kërkesat e Republikës së Bullgarisë nuk janë befasi, por këmbëngulja e tyre në pozicione që nuk kanë asnjë lidhje me çështjen strategjike të rëndësishme të zgjerimit të BE, nuk do të ndryshojë pikëpamjen tonë se nuk ka negociata për çështjet e identitetit. Ne jemi maqedonas që flasim maqedonisht. Identiteti maqedonas nuk diskutohet dhe nuk negociohet”, thuhet në reagimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut e cila thekson gatishmërinë e saj për vazhdimin e negociatave si dhe ndjekjen e kursit për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Bullgaria ka kushtëzuar kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në me plotësimin e kërkesave të saj që kanë të bëjnë me emrin e shtetit, gjuhën, identitetin, që sipas saj kanë “rrënjë bullgare”, pastaj me disa personalitete dhe ngjarje nga e kaluara, të cilat pretendon se i takojnë historisë bullgare. Autoritetet bullgare në vazhdimësi kanë akuzuar Shkupin edhe “për nxitje të gjuhës së urrejtjes, si dhe për vjedhje të historisë bullgare”.

XS
SM
MD
LG