Ndërlidhjet

Gucati: Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi të pafajshëm


Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati u deklarua i pafajshëm në paraqitjen e parë para gjykatësit të procedurës paraprake, pas konfirmimit të aktakuzës kundër tij.

“Në gjitha pikat që m'u lexuan deri ndjehem i pafajshëm dhe plotësisht i pafajshëm”, tha Gucati të premtën para Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, me seli në Hagë.

“Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi të pafajshëm, une kam të drejtën e lirisë dhe shprehjes dhe të drejtën e shprehjes së mendimeve të mia. Është e drejtë e imja që në mënyrë të ligjshme të mbrojë vlerat e kombit shqiptar dhe të UÇK-së dhe do të vazhdojë t’i mbrojë këto vlera deri në fund”, tha ai.

Paraqitja e Gucatit para Dhomave të Specializuara u bë disa orë pasi të premten para kësaj Gjykate u paraqit edhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Nicolas Guillou ka konfirmuar aktakuzën ndaj Gucatit dhe Haradinajt më 11 dhjetor.

Në njoftimin e Dhomave të Specializuara më 14 dhjetor, është thënë se aktakuza lidhet me “vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Këto vepra penale dyshohet se janë kryer në periudhën 7-25 shtator 2020.

Sipas aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tri konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe nëpërmjet shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale.

Haradinaj dhe Gucati janë arrestuar më 25 shtator në Prishtinë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe të Policisë së Kosovës.

Tri herë gjatë shtatorit, Organizata e Veteranëve të Luftës ka thënë se ka pranuar - në mënyrë anonime - dosje që lidhen me Prokurorinë Speciale.

Përmbajtja e tyre nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo.

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deri më tash, ky institucion ka njoftuar se ka konfirmuar aktakuzën për krime lufte kundër disa ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e tyre: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Salih Mustafa.

Të gjithë këta të fundit ndodhen në objektet e paraburgimit në Hagë.

XS
SM
MD
LG