Ndërlidhjet

Rënia ekonomike në Kosovë pritet të jetë 7.2 për qind, thotë BQK-ja


Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, Fehmi Mehmeti.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Ekonomia e Kosovës pritet që të ketë një rënie ekonomike prej 7.2 për qind që paraqet goditjen më të rëndë që ka pësuar ekonomia e vendit në 20 vitet e fundit, tha Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, gjatë një konference për media.

Masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës, për parandalimin e përhapjes se pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi nga muaji mars, kur u paraqiten rastet e para të të infektuarve, siç është kufizimi i funksionimit të disa veprimtarive ekonomike dhe mbyllja e kufijve, sipas tij, ka ndikuar në rënien ekonomike të vendit.

“Shpenzimet e jo-rezidentëve në Kosovë, deri në muajin shtator, ishin 470 milionë euro - pjesa më e madhe janë realizuar nga diaspora - dhe paraqet një rënie prej 60 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, tha Mehmeti.

Kurse, vlera e dërgesave të shtetasve të Kosovës që jetojnë në shtete të ndryshme të Evropës dhe botës ka arritur në 796 milionë euro, ose 12 për qind më shumë se vitin e kaluar. Vlerë kjo që ka ndikuar në zbutjen e efekteve të krizës.

Pavarësisht, situatës më pandemi, në rreth 800 milionë euro ka arritur vlera e kredive të reja, për periudhën mars–tetor, në bankat komerciale që operojnë në Kosovë, tha Mehmeti, duke shtuar se vlera e përgjithshme e kredive ka arritur në 3.2 miliardë euro.

Megjithatë, ai ka thënë se pandemia, sektorin bankar e ka gjetur mirë të kapitalizuar , çka ka bërë që ky sektor jo vetëm të përballojë krizën, por që të ketë rol kyç në rimëkëmbjen ekonomike.

Masat kundër përhapjes së pandemisë kanë ndikuar në masë të madhe në ekonominë e Kosovës duke krijuar humbje deri më tani në 1 miliard euro, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe shoqatave ekonomike.

Këto humbje nuk arritën të mbulohet nga ndihma që shteti ndau për ekonominë.

Por, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ekonomia e brishtë e Kosovës, me një rritje ekonomike jo më shumë se 4 për qind ndër vite, brenda nëntë muajve të pandemisë me COVID-19, arriti të mbijetojë për të mos u futur në kolaps.

“Ekonomia e vendit mund të themi se ka shpëtuar nga kolapsi, por jo që shteti e ka ndihmuar shumë, por qytetarët dhe bizneset kanë pasur rezerva dhe i kanë përdorur ato mjete në këtë kohë”, ka thënë Shahini.

Ligji për rimëkëmbje ekonomike i miratuar më 4 dhjetor parasheh 600 milionë euro, nga cili fond do të përfitojnë bizneset dhe qytetarët.

XS
SM
MD
LG