Ndërlidhjet

Dorëhiqet ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj


Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka dhënë dorëheqje më 29 dhjetor 2020.
Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka dhënë dorëheqje më 29 dhjetor 2020.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, tha se ka dhënë dorëheqje nga pozita.

“Duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem si kandidat për deputet, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar”, ka thënë Cakaj në një postim në rrjetin social Facebook.

Ai ka thënë se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon “duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vlerësoi angazhimin e Cakajt në kryesimin e OSBE si edhe “punën me përkushtim e profesionalizëm”. Rama njoftoi se pozitën e Cakajt do ta ushtrojë Olta Xhaçka.

Në janar të vitit 2019, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte marrë drejtimin e Ministrisë së Jashtme, pasi presidenti i Shqipërisë Ilir Meta refuzoi kandidaturën e Gent Cakajt.

Presidenti, nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit në atë kohë, kishte thënë se “profili i zotit Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, një ditë pas betimit në postin e ministrit të Jashtëm ia delegoi kompetencat për këtë post Cakajt.

XS
SM
MD
LG