Ndërlidhjet

Gazetarët e REL-it akuzojnë shefin e mbikëqyrjes për “ndërhyrje në pavarësi”


Michael Pack, shef ekzekutiv i Agjencisë së SHBA-së për Media Globale.
Michael Pack, shef ekzekutiv i Agjencisë së SHBA-së për Media Globale.

Redaktorë të lartë, që udhëheqin shërbimet në 23 gjuhë të Radios Evropa e Lirë, i dërguan letër proteste kreut të agjencisë që mbikëqyr REL-in, duke e akuzuar për “largim të paparë” nga neutraliteti dhe për “zhveshje të pavarësisë së organizatës” që i është besuar.

Dokumenti akuzon shefin ekzekutiv të Agjencisë së SHBA-së për Media Globale (USAGM), Michael Pack - i cili është emëruar nga presidenti Donald Trump dhe konfirmuar nga Senati me shumicë republikane, në muajin qershor - “për përpjekje të momentit të fundit, për të siguruar kontroll mbi Radion Evropa e Lirë për një parti të vetme politike në SHBA”, përpara betimit të presidentit të zgjedhur demokrat, Joe Biden, në muajin janar.

Letra, e datës 30 dhjetor, e nënshkruar nga bordi editorial i REL-it dhe shumica e drejtorëve të shërbimeve, u dërgua edhe tek udhëheqja e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësit e të dyja partive dhe kreu i ekipit të tranzicionit të Bidenit në USAGM.

Duke folur për CNBC-në, Pack tha se letra është “e mbushur me pasaktësi”.

“Nuk ka pasur asnjë përpjekje për të komprometuar lirinë [e rrjeteve] nga ndikimi politik. Përkundrazi, të gjitha veprimet që kam ndërmarrë, janë mbështetur në përgjegjësinë dhe zotimin tim - të mandatuar nga Kongresi - për të përmbushur misionin e USAGM-it”, tha Pack.

Javëve të kaluara, Biden dhe ekipi i tij i tranzicionit, i udhëhequr nga Richard Stengel, kanë thënë se do t’i rishikojnë plotësisht veprimet e Packut dhe kanë lënë të kuptohet se mund ta zëvendësojnë atë. Por, është e paqartë nëse personeli ose hapat e tjerë mund të ndryshojnë lehtësisht.

Një gjykatës federal i SHBA-së ka konstatuar në nëntor se Pack ka vepruar në mënyrë jo të duhur sa i përket mbulimit të lajmeve dhe personelit editorial brenda transmetuesve ndërkombëtarë që mbikëqyren nga agjencia e tij, dhe e ka urdhëruar atë që të ndalojë ndërhyrjen në ato zona.

Protesta e fundit vjen më pak se dy javë pasi Pack ka emëruar ish-gazetarin e Zërit të Amerikës, Ted Lipien, për president të Radios Evropa e Lirë, në vazhdën e një stuhie emërimesh të tjera në Zërin e Amerikës dhe në entitetet e tjera, që janë nën kontrollin e USAGM-it.

Në letrën e 30 dhjetorit, gazetarët e Radios Evropa e Lirë kritikojnë rishikimin që i ka bërë Pack një marrëveshjeje granti me transmetuesin, për të “revokuar” autonominë financiare dhe “për të vendosur të emëruarit e tij brenda Radios Evropa e Lirë dhe bordit të saj të drejtorëve, për një periudhë dyvjeçare”.

Në letër argumentohet se veprimi i tillë “bie ndesh me procesin e emërimit, të paraparë me ligj dhe në rregulloren tonë”. “Është pikërisht ai lloj i manovrimit me pushtetin politik që Radio Evropa e Lirë dëshmon rregullisht në vende si Rusia, Hungaria, Bjellorusia dhe Taxhikistani”, thuhet në letër.

Letra përmend shqetësimet nga legjislacioni i ri për “agjentët e huaj” në Rusi, i cili shënjestron edhe gazetarët e Radios Evropa e Lirë, si dhe burgosjen dhe persekutimin gjetkë të rreth 1,000 gazetarëve dhe byrove të saj, përfshirë vdekjen e pesë gazetarëve këtë vit.

Mandati i Packut në USAGM ka nisur gjashtë muaj më herët me shkarkimin e disa udhëheqësve, përfshirë shefin ekzekutiv dhe presidentin e Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly, dhe me refuzimin e tij të mëvonshëm për të dëshmuar para një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve, në lidhje me këto vendime.

Pack nuk e ka fshehur dëshirën e tij për të bërë ndryshime të thella në agjenci dhe beteja e tij e konfirmimit ka përkuar me një seri sulmesh publike ndaj Zërit të Amerikës dhe me kërkesat për udhëheqje të re.

Demokratët, dhe disa republikanë, e kanë akuzuar Packun për përpjekje për t’i kthyer rrjetet amerikane në media pro Trumpit.

Organizatat e lajmeve të mbikëqyrura nga USAGM janë të mandatuara me ligj, për të qenë objektive dhe të ekuilibruara.

Letra e Radios Evropa e Lirë e akuzon Packun se “jo vetëm që nuk ka arritur të marrë përsipër detyrën e kujdesit për REL-in”, por "ka ndërmarrë edhe hapa të qëllimshëm për ta sulmuar dhe dobësuar këtë organizatë".

"Në këtë moment kritik në historinë tonë, ne kërkojmë që t’i shfrytëzoni ditët e mbetura të mandatit tuaj, për të mbështetur një transferim të qetë, profesional dhe transparent të pushtetit tek administrata e ardhshme e USAGM-it", thuhet në letrën e REL-it drejtuar kreut të USAGM-it, Michael Pack.

XS
SM
MD
LG