Ndërlidhjet

Koreja e Jugut dhe SHBA-ja i kërkojnë Iranin që të lirojë cisternën në Hormuz


RANI - Një varkë e Gardës Revolucionare Iraniane lundron pranë Stena Impero.
RANI - Një varkë e Gardës Revolucionare Iraniane lundron pranë Stena Impero.

Koreja e Jugut thotë se po përpiqet të sigurojë lirimin e një cisterne të kapur nga Irani pranë ngushticës strategjike të Hormuzit.

Koreja e Jugut ka ngrirë fondet iraniane në banka për shkak të sanksioneve të SHBA-së. Ky veprim ka rritur tensionet mes dy vendeve.

Ministri i Jashtëm, Kang Kyung-wha, tha më 5 janar se Koreja e Jugut po bën përpjekje diplomatike për të siguruar lirimin e cisternës me flamur të Koresë së Jugut dhe ekuipazhit të saj prej 20 anëtarësh.

Ndërkohë, ministria e Mbrojtjes e vendit tha se po dërgonte njësinë e saj anti-pirateri në ngushticën e Hormuzit - përmes së cilës kalon 20 për qind e të gjithë naftës së tregtuar në botë.

Një ditë më parë, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) thanë se forcat e saj detare kapën anijen dhe ndaluan ekuipazhin e saj për shkak të shkeljeve të ligjeve të mjesidit.

Irani është përpjekur të përshkallëzojë presionin mbi Korenë e Jugut për të zhbllokuar rreth 7 miliardë dollarë në asete të ngrira nga shitjet e naftës të fituara para se Uashingtoni të fuqizonte sanksionet ndaj Iranit, pas tërheqjes së SHBA-së nga një marrëveshje bërthamore e rëndësishme midis Teheranit dhe fuqive botërore.

Televizioni shtetëror iranian citoi një zyrtar të qeverisë së Teheranit të thoshte se zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Choi Jong-kun kishte planifikuar një vizitë në Iran në ditët në vijim për të diskutuar çështjen.

Por, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme në Seul tha se "ende është e paqartë" nëse vizita do të realizohej, sipas Reuters.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të anijes, duke akuzuar Iranin për kërcënimin e "të drejtave dhe lirive të lundrimit" në Gjirin Persik në mënyrë që të "zhvat komunitetin ndërkombëtar për të lehtësuar presionin" e sanksioneve ekonomike.

Incidenti po ndodhë në mesin e tensioneve në rritje në rajon që përkon me përvjetorin e parë të vrasjes nga sulmi ajror amerikan të një gjenerali të lartë iranian.

Vrasja e gjeneralit, Qasem Soleimani, komandant i Forcës elite Kuds të IRGC, në Bagdad më 3 janar 2020, nxiti Iranin të hakmerrej. Teherani nisi një sulm me raketa balistike, duke plagosur dhjetëra trupa amerikane në Irak. Teherani gjithashtu rrëzoi aksidentalisht një avion ukrainas pasagjerësh atë natë, duke vrarë të gjithë 176 personat në bord.

Në prag të përvjetorit të vrasjes, Shtetet e Bashkuara dërguan bombardues B-52 mbi rajon dhe vendosën një aeroplanmbajtës dhe një nëndetëse me energji bërthamore në Gjirin Persik.

Qeveria iraniane gjithashtu tha më 4 janar se vendi ka rifilluar pasurimin e uraniumit në 20 për qind në objektin nëntokësor Fordow, një nivel shumë më i lartë se kufijtë e vendosur nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me gjashtë fuqitë e mëdha.

Teherani gradualisht ka zvogëluar respektimin e marrëveshjes, e cila lehtësoi sanksionet e Kombeve të Bashkuara në këmbim të frenimit të programit të diskutueshëm bërthamor të Iranit. Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja më 2018 dhe filluan të vendosnin sanksione të rënda mbi Iranin.

XS
SM
MD
LG