Ndërlidhjet

Kuvendi do të vendosë për dërgimin e FSK-së në misione paqeruajtëse


Kuvendi i Kosovës.

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës shumë shpejt do të shkojnë në misione jasht vendit, bashkë me pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Ajovas së Shteteve të Bashkuara.

Kuvendi i Kosovës, të martën, pritet të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për të vendosur për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Seanca mbahet me kërkesë të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Avdullah Hoti.

“Në bazë të ftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Kosovës me 31 dhjetor, 2020, ka miratuar vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës. Ky vendim i është dërguar Kuvendit të Kosovës me propozimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione për mbështetje të stabilitet rajonal dhe operacioneve paqeruajtëse, nën Komandën Qendrore Amerikane”, thuhet në njoftimin e Qeverisë në detyrë.

Vendimi mbështetet në memorandumin që Kosova e ka nënshkruar me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit bashkë me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka shkruar në rrjetin social Facebook se deputetët e kësaj partie mbështesin kërkesën e Qeverisë që Parlamenti të mbajë seancë të jashtëzakonshme, “për lejimin e angazhimit të Ushtrisë së Kosovës në Misione Paqeruajtëse në kuadër të ushtrive më të fuqishme të botës”.

Mbështetje për këtë vendin ka shprehur edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, i cili shkroi në rrjetet sociale, se kjo parti do të votojë pro dërgimit të ekipeve të FSK-së në misione të përbashkëta paqeruajtëse “me aleatin historik- SHBA-në”.

“Kjo është njëra ndër të arriturat e mëdha të FSK-së në rrugëtimin e saj drejt një ushtrie të standardeve të NATO-s, që për Kosovën është synim i përhershëm”, shkroi Haradinaj.

FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.

Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca të armatosura.

Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës, të zgjasë dhjetë vjet.

XS
SM
MD
LG