Ndërlidhjet

Maqedonia e V. shënon 11 të vdekur dhe 400 raste me COVID-19


Klinika e Sëmundjeve Infektive në Shkup.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të martën 11 viktima me COVID-19, 400 persona të infektuar si dhe 206 persona të shëruar. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë bazohen në testimin e 2.327 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë.

Viktimat janë: 6 në Shkup ndërsa nga një në Manastir, Strumicë, Kavadar, Strugë, Koçan dhe Pehçevë.

Në Maqedoninë e Veriut që nga paraqitja e pandemisë me koronavirusin e ri janë diagnostikuar 89.392 persona, prej tyre, 73.983 janë shëruar, 2.726 kanë vdekur ndërsa 12.683 raste ende janë aktive.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Klinikën Infektive në Shkup dhe spitalet e qyteteve, gjithsej 620 persona janë duke trajtuar nga COVID-19, shumica prej të cilëve janë në gjendje të mirë shëndetësore. Raporti i Ministrisë flet për përgjysmim të numrit të të hospitalizuarve.

Klinikat e Qendrës Universitare në Shkup që ishin shndërruar në qendra COVID-19, kanë filluar t'i kthehen normalitetit dhe të trajtojnë pacientët me sëmundjet tjera.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe homologu i tij serb, Zlatibor Lonçar, kanë diskutuar të martën mbi detajet teknike dhe kohën e saktë të dorëzimit të tetë mijë vaksinave "Pfizer" që Serbia i ka dhuruar Maqedonisë së Veriut. Këto vaksina do të jenë të destinuara për punonjësit shëndetësorë, për grupet në rrezik të qytetarëve me sëmundje kronike, të rriturit, anëtarët e familjes që kanë humbur një person nga COVID-19 dhe të tjerë.

XS
SM
MD
LG