Ndërlidhjet

Biden, gati për të kryer betimin si president i 46-të i SHBA-së


Gjithçka gati në Uashington për inaugurimin e Joe Bidenit si president.
Gjithçka gati në Uashington për inaugurimin e Joe Bidenit si president.

Pas një prej proceseve zgjedhore më të diskutueshme në historinë amerikane, demokrati Joe Biden do të betohet në mesditën e 20 janarit si president i Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që i tërë Uashingtoni mbetet i rrethuar me sigurim të madh.

Kur të vendosë dorën në Bibël, 78-vjeçari Biden do të bëhet personi më i vjetër që do të betohet si president amerikan dhe do të niset drejt Shtëpisë së Bardhë pak më vonë, për të zëvendësuar Donald Trumpin, dhe për t’u kthyer në presidentin e 46-të të kombit amerikan.

Për herë të parë në 152 vjet, presidenti në shkuarje nuk pritet të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit, ndonëse ish-presidentët George W. Bush, Bill Clinton dhe Barack Obama pritet të jenë aty kur gjyqtari kryesor i Gjykatës Supreme, John Roberts të drejtojë Bidenin në procesin e betimit.

Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter është 96 vjeç dhe ka thënë se nuk do të ketë mundësi të marrë pjesë në ceremoni.

Nënpresidenti i Trumpit, Mike Pence, ka thënë se do të jetë aty, ashtu sikurse shumë ligjvënës republikanë.

Historia do të bëhet edhe kur 56-vjeçarja, Kamala Harris do të betohet si nënpresidente, duke u bërë gruaja e parë dhe personi i parë me ngjyrë që mban këtë pozitë.

Sikurse e do tradita, Biden ka kaluar natën para inaugurimit në Shtëpinë Blair, shtëpinë e mysafirëve të presidentit, e cila gjendet afër Shtëpisë së Bardhë, në qendër të Uashingtonit.

Para ceremonisë së inaugurimit, Biden dhe Harris kanë nderuar 400,000 personat që kanë vdekur me koronavirus.

“Për t’u shëruar, ne duhet të kujtojmë”, ka thënë Biden në një ceremoni para qendrës përkujtimore Lincoln.

Katërqind drita që përfaqësojnë viktimat, kanë ndriçuar mbrapa tij dhe qendrës përkujtimore.

“Në mes të perëndimit të diellit dhe muzgut, le të ndriçojmë dritat në errësirë dhe të kujtojmë ata që i kemi humbur”, ka thënë Biden.

Tensionet kanë qenë të larta në Uashington, pas sulmit të 6 janarit në ndërtesën e Kongresit nga mbështetës të Trumpit.

Si pasojë e sulmit kanë mbetur të vdekur pesë persona.

Protestuesit futen brenda Kongresit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:57 0:00

Mbështetësit e Trumpit janë zemëruar pasi presidenti ka pretenduar disa herë – ndonëse pa ofruar të dhëna – se ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit dhe se procesi ka qenë i manipuluar.

Pretendimet e tij janë kundërshtuar dhjetëra herë në disa gjykata amerikane, duke përfshirë gjyqtarët e nominuar nga vetë Trump.

Në situatë normale, qindra mijëra mbështetës dhe vëzhgues tjerë do të mblidheshin afër ndërtesës së Kongresit për të dëgjuar presidentin duke kryer betimin.

Megjithatë, pas sulmit në Kongres, autoritetet kanë angazhuar rreth 25,000 trupa të Gardës Kombëtare dhe kanë vendosur kufizime për të parandaluar kalimtarët e rastit që t’i afrohen zonës.

Rritet siguria në prag të inaugurimit të Bidenit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00

Edhe para se dhuna e turmës të raportohej në Kongres, ceremonia e inaugurimit ishte planifikuar të zhvillohej pa shumë zhurmë, për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe dëshirës për të shmangur turmat që mund të përhapnin virusin.

Pas ceremonisë së betimit, Biden do të marrë pjesë në një ceremoni me pjesëtarë të ushtrisë në pjesën lindore të Kongresit.

Biden, Harris, bashkëshortët e tyre, më pas, Obama, Bush, Clinton dhe gratë e tyre do të marrin pjesë në një ceremoni në Varrezat Kombëtare në Arlington.

Biden më pas do të dërgohet në Shtëpinë e Bardhë.

Trump në anën tjetër pritet të largohet nga Uashigtoni për në shtëpinë e tij në Florida më 20 janar.

Në një video-mesazh lamtumirës nga Shtëpia e Bardhë, Trump ka thënë se do të “lutet” për suksesin e administratës së re, ndonëse nuk ka përmendur emrin e Bidenit gjatë adresimit të tij 20-minutësh.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG