Ndërlidhjet

Lideri Suprem i Iranit me postim kërcënues ndaj Trumpit


Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Në llogarinë e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është bërë një postim që duket se është një lloj kërcënimi për ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, transmeton BBC. Postimi përmban një fotografi të një njeriu që i ngjan ish-presidentit amerikan, duke luajtur golf dhe hija mbi të është e një aeroplani lufte ose një droni.

"Hakmarrja është e pashmangshme", thuhet në postim.

Sipas agjencisë BBC kjo duket të jetë një thirrje për sulm, si hakmarrje për vrasjen e komandantit të lartë ushtarak iranian, vitin e kaluar.

Twitter tha të premten se kishte pezulluar përgjithmonë një llogari të lidhur me zyrën e udhëheqësit suprem të Iranit.

Gjenerali iranian, Qasem Soleimani u vra nga një dron amerikan në Bagdad një vit më parë.

Nën udhëheqjen e tij Irani pati fuqizuar aktivitetet e grupeve militante pro-iraniane, dhe kishte zgjeruar praninë e tij ushtarake në Irak dhe Siri.

Ai planifikoi edhe ofensivën e Sirisë kundër grupeve rebele në luftën e saj të gjatë civile. Atëbotë, Trump kishte thënë se ky gjeneral ishte “drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthortë përgjegjës për vdekjen e miliona njerëzve”.

Pas vrasjes së tij, Irani u kundërpërgjigj duke sulmuar me raketa një bazë ajrore irakiane që strehonte trupat amerikane.

XS
SM
MD
LG