Ndërlidhjet

Ligjvënësit amerikanë shprehen të shqetësuar për kërcënimet drejtuar REL-it


Pamje nga ambientet e Radios Evropa e Lirë, në zyrën qendrore në Pragë.
Pamje nga ambientet e Radios Evropa e Lirë, në zyrën qendrore në Pragë.

Republikani Micheal McCaul, i është bashkuar Gregory Meeks, udhëheqësit të Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, dhe përfaqësuesve, Macry Kaptur, Adam Kinzinger dhe Bill Keating, për t’i dërguar letër administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, duke i bërë thirrje që ta bëjë prioritet rritjen e kërcënimeve të jashtme dhe të brendshme ndaj transmetuesit ndërkombëtar amerikan, Radio Evropa e Lirë.

Sipas tyre, çka është më shqetësuese, regjimi i presidentit rus, Vladimir Putin është duke kërcënuar Radion Evropa e Lirë me gjoba të mëdha dhe krime të mundshme penale kundër punëtorëve të këtij transmetuesi, çka sipas tyre përbën kërcënim “ekzistencial” në operacionet e kësaj organizate lajmesh brenda Rusisë.

Kongresistët kanë thënë mes tjerash se e shohin me shqetësimin faktin që teksa Radio Evropa e Lirë përballet me sfida nëpër Euroazi, ajo po përballet edhe me kërcënime të brendshme, po aq të rrezikshme, për misionin që ka.

“Ne i bëjmë thirrje administratës Biden që të angazhohet me Qeverinë ruse menjëherë, për ta bërë të qartë se këto kufizime ndaj Radios Evropa e Lirë, bashkëpunëtorëve të saj dhe stafit, janë të papranueshme, dhe në veçanti për atë se ekspozimi i stafit të Radios Evropa e Lirë ndaj krimeve penale do të rezultojë me pasoja serioze”, ka thënë ligjvënësit në letrën e tyre.

“Nëse Moska çon përpara këto vendime, atëherë ne jemi të përgatitur të punojmë me administratën tuaj për të konsideruar autoritetet ekzistuese… për të sanksionuar zyrtarët rusë të përfshirë në këto vendime, dhe për të kërkuar reciprocitet për kushtet e veprimtarisë së transmetuesve perëndimorë, sikurse Radio Evropa e Lirë në Rusi dhe transmetuesve rusë, sikurse Russia Today (RT) dhe Sputnik, këtu në Shtetet e Bashkuara”.

Ata kanë thënë mes tjerash se Radio Evropa e Lirë, ashtu sikurse shërbimet tjera transmetuese të financuara nga Kongresi amerikan janë përballur me vështirësi nën menaxhimin e Michael Pack, sa ka qenë në krye të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM).

Sipas tyre, Pack përmes një vargu hapash ka tentuar të dëmtojë pavarësinë editoriale të këtyre transmetuesve.

“Kthimi i menjëhershëm i integritetit të Radios Evropa e Lirë dhe rrjeteve tjera të kuadër të USAGM, kur të merrni detyrën, është hap tejet i rëndësishëm për përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të promovuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut në botë, dhe për të luftuar kërcënimet ekzistenciale nga regjimi i Putinit ndaj operacionit të Radios Evropa e Lirë në Rusi”.

Michael Pack ka dhënë dorëheqje nga pozita që ka pasur ne krye të USAGM, disa orë pas betimit të Joe Bidenit si president i SHBA-së.

Ai ka thënë se dorëheqja i është kërkuar nga presidenti Biden.

Drejtorja e Programit të Zërit të Amerikës, Kelu Chao, është emëruar tani shefe ekzekutive e Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM).

XS
SM
MD
LG