Ndërlidhjet

Osmani dhe Hoti nderojnë viktimat e Holokaustit


Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani duke vendosur buqetë lulesh te pllaka përkujtimore për hebrenjtë, e cila ndodhet në oborrin e Qeverisë së Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani duke vendosur buqetë lulesh te pllaka përkujtimore për hebrenjtë, e cila ndodhet në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

Në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë përkujtuar miliona hebrenj të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se gjenocidi ndaj hebrenjve është barbaria më e madhe që njeh historia njerëzore deri më sot.

Sipas një komunikate nga presidenca, në shenjë nderimi për viktimat, Osmani ka vendosur buqetë lulesh te pllaka përkujtimore, e cila ndodhet në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

“Duhet ta kujtojmë dhe të ndihemi krenar për ndihmën të cilën shqiptarët i dhanë komunitetit hebraik në vitet e trishtimit. E përderisa kujtojmë kalvarin e hebrenjve, nuk ka si të mos përmendet edhe ndihma e shtetit izraelit ndaj kosovarëve të dëbuar dhunshëm në luftën e vitit 1999”, ka thënë Osmani, duke shtuar se Holokausti do të kujtohet përgjithmonë.

“Përkujtimi i Holokaustit është riafirmim i të vërtetës, një nevojë prej së cilës nuk duhet të hiqet dorë asnjëherë dhe në asnjë rrethanë”, citohet të ketë thënë Osmani.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Holokausti ishte një prej kapitujve më të errët të Luftës së Dytë Botërore.

“Populli shqiptar bashkëndjen me vuajtjet e popullit hebre. Unë jam krenar që si popull shqiptar, gjatë periudhës më të vështirë të Luftës së Dytë Botërore, kemi ndihmuar pjesëtarë të këtij komuniteti, të gjejnë strehim në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo tregon përkushtimin e familjeve shqiptare për t’u dalë në ndihmë këtij populli në momentet më të vështira”, ka thënë Hoti pasi ka vendosur buqetë lulesh te pllaka përkujtimore për hebrenjt.

Holokausti është vrasja masive e rreth 6 milionë hebrenjve, vrasje kjo e organizuar nga partia naziste e liderit gjerman, Adolf Hitler, nga viti 1933 deri më 1945. Gati 7 nga çdo 10 hebrenj që ka jetuar në Evropë është vrarë gjatë kësaj kohe.

Holokausti përkujtohet në çdo 27 janar. Me këtë datë, në vitin 1945, forcat sovjetike e çliruan kampin në Aushvic-Birkenau.

Holokausti mbetet njëra nga tragjeditë më të mëdha të kohës moderne dhe megjithëse njihet botërisht, në vete ngërthen edhe miliona tragjedi personale dhe rrëfime të patreguara.

XS
SM
MD
LG