Ndërlidhjet

Efekti i vaksinimit, më i madh për perspektivën ekonomike në Britani


Ilustrim.

I ashtuquajturi “efekt i vaksinës” është duke rritur perspektivën ekonomike të Britanisë më shpejt në krahasim me vendet tjera, sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Kjo organizatë, që përbëhet nga një klub i ekonomive të zhvilluara, ka thënë se pret rritje të prodhimit kombëtar në Mbretërinë e Bashkuar për 5.1 për qind më 2021, apo rreth 0.9 për qind më shumë sesa ishte planifikuar në dhjetor të vitit të kaluar.

Kjo shifër është dukshëm më e madhe sesa 0.3 për qind rritje për ekonomitë e Eurozonës, pasi Franca dhe Italia përballen me parashikime për rënie këtë vit.

Instituti me bazë në Paris ka thënë se “zhvillimi i suksesshëm dhe përhapja graduale e procesit të vaksinimit ka përmirësuar perspektivën për rimëkëmbje të qëndrueshme, me kusht që të merren masa për të vaksinim të gjerë në gjithë botën”.

Kjo organizatë ka përditësuar edhe parashikimet për ekonominë e Shteteve të Bashkuara, duke parashikuar rritje ekonomike prej 6.5 për qind për shkak të shkallës së gjerë të vaksinimit dhe ndarjes së fondeve nga administrata e presidentit amerikan Joe Biden.

Organizata në fjalë parashikon edhe rritje ekonomike globale prej 5.6 për qind këtë vit, çka nënkupton rritje edhe më të madhe sesa në nivelet para pandemisë.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, ka ndryshuar pozitivisht edhe shifrat për ekonominë britanike më 2022 në Britani, duke përmendur 4.7 për qind rritje.

Kjo nënkupton se rritja e ekonomisë britanike do të mund të jetë më e madhe se ajo në SHBA apo Eurozonë.

“Rritja graduale duket më e mundshme në ekonomitë e mëdha evropiane, duke reflektuar zbatimin e masave të izolimit në periudhën e parë të vitit 2021 dhe mbështetjen fiskale më të kufizuar, ndonëse rritja e shkallës së vaksinimit mund të ndihmojë në krijim të momentumit, sidomos në Mbretërinë e Bashkuar”.

Megjithatë, edhe vetë organizata ka thënë se ekzistojnë rreziqe të mëdha mbrapa këtyre parashikimeve, duke përfshirë procesin e ngadalshëm të vaksinimit dhe mundësinë e emergjencave apo varianteve edhe më të rrezikshme të koronavirusit.

“Ekonomitë e avancuara, si dhe vendet shpërndarëse të vaksinave si Kina, India dhe Rusia, po ashtu përballen me rreziqe nga përhapja e varianteve të reja dhe rikthimit të masave të izolimit nga gjysma e fundit e vitit 2021, mirëpo kanë para vetës më pak pasiguri sa i përket prodhimit të vaksinës”, është thënë në parashikime.

“Të gjitha shtetet mund të përballen me rivlerësim të konsiderueshëm në tregjet financiare, duke nxitur mospëlqime dhe çmime më të dobët globale të mallrave”.

“Në një skenar të këtij lloji, rritja e bruto-prodhimit të brendshëm në nivel global do të mund të ulet për afro 1 për qind më 2021 dhe 1.25 për qind më 2022, apo 4.5 për qind dhe 2.75 për qind respektivisht”.

“Prodhimi më pas do të mund të mbetet nën nivelet para pandemisë për një periudhë të gjatë kohore, duke rritur mundësitë për pasoja afatgjata nga pandemia”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG