Ndërlidhjet

OKB: Katastrofa në Fukushima nuk ka rritur rrezikun për kancer


Një japonez duke u lutur në prag të përvjetorit të 10-të të katastrofës në Fukushima.
Një japonez duke u lutur në prag të përvjetorit të 10-të të katastrofës në Fukushima.

Katastrofa në centralin bërthamor Fukushima në Japoni nuk ka shkaktuar dëm që është vërejtur në popullatë, është thënë në raportin e ri të përpiluar nga Komiteti Shkencor për Efektet e Rrezatimit Atomik, që funksionon në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Rrezatimi bërthamor nga aksidenti nuk ka rritur rrezikun për kancer përtej normales, është thënë në raportin e publikuar në prag të shënimit të 10-vjetorit të kësaj katastrofe.

Shkencëtarët kanë gjetur se rritja e numrit të fëmijëve me kancer në gjëndrën tiroide nuk është i lidhur me rrezatim, por vetëm për shkak të analizave më të thella që kanë rezultuar me më shumë raste të raportuar.

Në zona tjera dhe shtete tjera pa ekspozim ndaj rrezatimit të lartë, kontrollimi më i mirë ka çuar po ashtu në rritje të rasteve me kancer në gjëndrën tiroide, ka thënë Komiteti Shkencor për Efektet e Rrezatimit Atomik.

Më 11 mars të vitit 2011, Japonia është goditur nga një tërmet i fuqishëm dhe një cunami që kanë lënë të vdekur rreth 18,500 persona.

Katastrofa natyrore ka ndikuar në shkrirje të materialit bërthamor në centralin bërthamor në Fukushima dhe për pasojë, rrezatimi ka shtyrë 160,000 banorë që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Kjo ka qenë katastrofa më e keqe bërthamore, prej aksidentit në Çernobil të Ukrainës më 1986.

“Është katastrofë, por nuk është katastrofë rrezatimi” ka thënë Anna Friedl biologe për rrezatim, e cila përfaqëson Komitetin Shkencor për Efektet e Rrezatimit Atomik në Gjermani, transmeton dpa.

Në krahasim me Çernobilin, në Fukushima janë liruar më pak substanca radioaktive dhe shumica prej tyre kanë rënë në det dhe jo në tokë.

Populli japonez ka konsumuar po ashtu më pak ushqim të kontaminuar, ka thënë Friedl.

Megjithatë ky komitet ka thënë se gjetjet e raportit nuk nënkuptojnë se nuk ka aspak rrezik nga kanceri nga aksidenti.

Sipas komitetit, faktorë tjerë sikurse stresi, problemet me zemër dhe sëmundje tjera, kanë ardhur si pasojë e evakuimit.

Rreziku për kancer në Japoni mbetet në 35 për qind.

XS
SM
MD
LG