Ndërlidhjet

Ushtria akuzon Aung San Suu Kyinë për pranim të paligjshëm të parave dhe arit


Pamje nga protestat në Mianmar, për lirim të lideres Aung San Suu Kyi.
Pamje nga protestat në Mianmar, për lirim të lideres Aung San Suu Kyi.

Udhëheqësit ushtarakë të Mianmarit kanë akuzuar lideren e rrëzuar nga pushteti Aung San Suu Kyi për pranim të 600,000 dollarëve dhe arit, në mënyrë të paligjshme.

Ky pretendim është më i fuqishmi nga niveli ushtarak, prej puçit ushtarak të 1 shkurtit.

Ushtria ende nuk ka ofruar prova për këtë akuzë.

Gjenerali Zaw Min Tun ka akuzuar edhe presidentin Win Myint dhe disa ministra tjerë të kabinetit për korrupsion.

Partia e Suu Kyisë, Liga Kombëtare për Demokraci, ka fituar me shumicë votash zgjedhjet e vitit të kaluar, mirëpo ushtria tani beson se procesi është manipuluar.

Vëzhguesit e pavarur ndërkombëtarë kanë hedhur poshtë pretendimet e ushtrisë – duke thënë se nuk janë vërejtur parregullsi.

Suu Kyi është duke u mbajtur tash e pesë javë në një lokacion të panjohur dhe përballet me disa akuza, përfshirë nxitje “të frikës dhe alarmit”, përdorimit joligjor të radio-lidhjeve dhe shkeljes së kufizimeve për luftim të koronavirusit.

Mianmari është duke u përballur me protesta në rrugë, prej kur ushtria ka marrë kontrollin dhe ka ndaluar Suu Kyinë.

Të paktën shtatë persona janë vrarë nga forcat e sigurisë të enjten, duke e çuar në më shumë se 60, numrin total të viktimave prej kur kanë nisur protestat.

Disa dëshmitarë kanë thënë se protestuesit janë qëlluar në kokë me armë zjarri.

XS
SM
MD
LG