Ndërlidhjet

Shtrëngimi i masave rikthen frikën për pasoja ndaj ekonomisë


Shkupi gjatë orës policore.
Shkupi gjatë orës policore.

Masat shtrënguese që kanë nisur të zbatohen në Maqedonisë e Veriut, sipas autoriteteve, nuk do të ndikojnë në punën e bizneseve, meqë sipas tyre, bëhet fjalë për ndalim të lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 5:00, dhe jo për ndalesë në punën e bizneseve.

Por, ekonomistët paralajmërojnë se në rast se masat nuk japin rezultate dhe nëse miratohen masa shtesë, siç edhe kanë paralajmëruar zyrtarët, sikurse ato të pranverës së kaluar, ose ato që janë përsëri në fuqi në disa vende të Evropës, ekonomia maqedonase nuk do të jetë në gjendje t’iu rezistojë atyre.

Menderez Kuçi, afarist dhe ish-kryetar i Odës Ekonomike në Maqedoninë Veriore thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet duhej të miratojnë masa më shtrënguese apo një mbyllje të plotë dhe që bizneset dhe qytetarët të mos mbahen në ankth se çfarë mund t'i presë të nesërmen.

“Kjo sipas meje është një paralajmërim për një masë tjetër më rigoroze që do të duhej të merrej. Nëse unë do të pyetesha, do të bëja një karantinë në të gjithë shtetin për 20 ditë, që të lokalizojmë virusin, që të zgjidhim problemin e infektimeve te ne, pasi që e dimë se përveç faktorit njeri, në rritjen e infektimeve nuk kemi faktorë të tjerë. Pra, unë nuk jam për masa ad-hoc dhe as për masa të momentit, por për një strategji më të qartë, duke marrë parasysh edhe koston në biznes, buxhet, por edhe në jetët e njerëzve”, thotë Kuçi.

Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Shkupit, Zoran Ivanovski thotë se shëndeti duhet të jetë prioritet, por se shteti duhet të kujdeset edhe për ekonominë, pa të cilën nuk mund të ketë zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët.

“Shëndeti i njerëzve sigurisht se ka prioritet por nuk duhet të harrohet ekonomia, e cila më shumë se një vit ndodhet nën presion të fuqishëm për shkak të pandemisë. Masa e propozuar nuk do të ketë implikime më serioze për ekonominë, duke pasur parasysh që kapacitetet prodhuese që nuk mund të ndërpriten, do të sigurojnë leje për mbarëvajtjen e procesit. Por nëse nuk kemi rezultatet konkrete lidhur me gjendjen epidemiologjike, atëherë gjendja mund të përkeqësohet dhe mund që çojë në mbyllje të reja me pasoja të rënda ndaj ekonomisë”, tha profesori Ivanovski.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi thotë se qeveria do të bëjë gjithçka për të kompensuar dëmet eventuale si pasojë e masave shtrënguese. Por, sipas tij, për momentin përparësi ka shëndeti i qytetarëve.

“Duhet ta kemi të qartë se në këtë betejë me armikun e padukshëm, një gjë është më e rëndësishme, shëndeti jonë. Gjithçka tjetër, qoftë pasojat ekonomike, humbja e vendeve të punës apo dëmet tjera, mund të kompensohen. Të gjithë së bashku do të sigurojmë vende pune, do të hartojmë masa ekonomike për të kompensuar humbjet. Masa që kemi miratuar ka të bëjë vetëm me ndalimin e lëvizjes së qytetarëve dhe jo me bizneset. Nuk besoj se do të ketë pasoja apo të ketë nevojë për masa shtesë, sikur edhe në shtetet tjera, ku shifrat janë alarmante”, ka deklaruar Bytyqi.

Mbyllja e ekonomisë për shkak të pandemisë, që nga marsi i vitit të kaluar, ka bërë që rreth 18 mijë persona të humbin vendet e punës, por jozyrtatisht, ky numër arrin deri në 50 mijë persona. Qeveria gjatë kësaj periudhe ka miratuar pesë masa ekonomike për ndihmë ndaj bizneseve, në vlerë prej më shumë se një miliardë euro. Para kanë përfituar kompanitë, por edhe kategori të caktuara të qytetarëve.

Masa kundër koronavirusit në Maqedoninë e Veriut e ka shtuar frikën për pasojat ndaj ekonomisë. Sipas institucioneve dhe njohësve të çështjeve, në fazën e tanishme mund të mos ketë pasoja. Por, në rast të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike, siç kanë thënë ata, pasojat do të jenë të rënda, marrë parasysh gjendjen edhe ashtu të rënduar të ekonomisë vendore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG