Ndërlidhjet

Aksion policor rreth dyshimeve për keqpërdorim të votave 


Ilustrim.
Ilustrim.

Autoritetet e rendit, në bashkëpunim me ato të sistemit të drejtësisë, janë duke zhvilluar të premten një aksion policor në Kosovë, i cili lidhet me procesin zgjedhor dhe dyshimet për keqpërdorim të votave në Qendrën e Numërimit të Rezultateve.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani.

Deri më tash nuk dihet nëse është arrestuar ndonjë person i dyshuar për këtë çështje.

“Mund të konfirmojmë se, në bazë të kërkesës së Prokurorisë dhe urdhëresës së Gjykatës kompetente, Policia e Kosovës është duke e realizuar një operacion policor. Ky operacion, i cili është duke u realizuar në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërlidhet me procesin zgjedhor", ka thënë Kelani.

Në mediat lokale në Kosovë, ditë më parë është publikuar një video-incizim, ku pretendohej për falsifikim të votave të kandidatëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e këtyre raportimeve.

Pas ngritjes së dyshimeve për manipulim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, Meliza Haradinaj-Stublla të martën, më 9 mars, ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe nga funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Dorëheqja e Haradinaj-Stubllës erdhi një ditë pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka miratuar si të bazuara disa nga apelet e kandidatëve dhe subjekteve politike, që morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Një nga apelet kishte të bënte me dyshimet për manipulim të votave me kusht dhe me postë në favor të Haradinaj-Stubllës.

PZAP-ja ka urdhëruar rinumërimin e votave me kusht dhe me postë për kandidatët e AAK-së. Ky proces, që është drejt përfundimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, po mbikëqyret nga hetuesit.

XS
SM
MD
LG