Ndërlidhjet

Arsimimi i shoqërisë zvogëlon numrin e lindjeve


Ilustrim.

Rreth 3.610 lindje në Kosovë janë shënuar më pak në vitin 2020 sesa në vitin 2019, kurse 1.678 ka qenë numri më i lartë i vdekjeve në vitin e kaluar.

Që nga viti 2014, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rënia e natalitetit është e regjistruar për çdo vit. Në vitin 2014 numri i lindjeve të gjalla ka qenë 25.929. Në vitin 2019 janë regjistruar 21.798, ndërkaq vitin e kaluar kanë qenë vetëm 18.188 lindje.

Shifra më e ulët e lindjeve është regjistruar në muajin prill të vitit 2020. Në atë muaj janë regjistruar 372 lindje ndërsa në muajin tetor janë regjistruar 2.008 lindje të foshnjave.

Sipas të thënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, kjo ka bërë që të zvogëlohet edhe numri i anëtarëve në një shtëpi apo banesë të përbashkët. Derisa në vitin 2014, madhësia mesatare e ekonomive familjare ka qenë 5.62 banorë në një ekonomi, në vitin 2019 ka rënë në 4.98 banorë në një ekonomi.

Nataliteti zvogëlohet në vendet në tranzicion

Ndryshimi i konceptit mbi ndërtimin e familjes ka ndikuar dukshëm në uljen e natalitetit, thonë demografia Mimoza Dushi dhe sociologu Shemsi Krasniqi.

Ata vlerësojnë se faktorët që ndikojnë në natalitet janë të natyrës biologjike, shoqërore-ekonomike dhe psikologjike. Aktualisht, sipas tyre, kjo nuk mund të konsiderohet shqetësuese, pasi që zvogëlimi i lindshmërisë është karakteristikë e vendeve në zhvillim.

Mimoza Dushi, profesoreshë në Departamentin e Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse analizohen të gjithë faktorët që ndikojnë në numrin e lindjeve, kjo rënie është e natyrshme.

“Kemi një ngritje të shkollimit dhe shkallës së punësimit të grave, por edhe te popullsia, si dhe kemi largim të fëmijëve nga procesi i punës. Në aspektin tjetër, ne si shoqëri shqiptare në Kosovë ende i ruajmë vlerat tradicionale. Kemi stabilitet martesor, kemi stabilitet në familje. Kjo na tregon se të rinjtë, nuk kanë hequr dorë as nga martesa dhe as nga krijimi i familjes. Në momentin që kjo celulë prishet, atëherë zvogëlimi i numrit të lindjeve do të jetë shqetësues”, tha Dushi.

Punësimi i grave ndikon në zvogëlim të numrit të lindjeve

Edhe Shemsi Krasniqi, profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson që shkaqet për zvogëlimin e numrit të lindjeve, janë: ndryshimi i nivelit shoqëror të gruas, si dhe planifikimi familjar.

Sipas tij, në çdo shoqëri ku femra ka një status më të lartë shoqëror dhe merret me punë edhe jashtë shtëpisë, nataliteti dhe numri i fëmijëve është dukshëm më i ulët.

“Çështjet tjera ndërlidhen me mënyrën e jetesës. Ato kanë të bëjnë me arsimimin, punësimin dhe sidomos me angazhimin publik të gruas. Gratë më nuk janë vetëm amvise, siç kanë qenë dhe merreshin vetëm me punët e shtëpisë dhe me rritjen e fëmijëve. Tashmë prej gruas pritet që të jetë e pavarur. Prandaj, kjo mund të jetë edhe një ndër arsyet”, thekson Krasniqi.

Demografia Dushi thotë se në Kosovë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në vitin 2011, rreth 50 për qind kanë qenë të rinj, deri në 25 vjeç, shifër kjo, sipas saj, potenciale për të qenë prindër në të ardhmen.

Siç thotë ajo, është herët për Kosovën të flitet për fazën e “plakjes demografike”, përderisa numri i vdekjeve ende mbetet në përqindje më të vogël sesa i lindjeve.

“Në fazën e moshimit kanë hyrë vendet e zhvilluara Gjermania, Franca. Te ne është herët të flitet për këtë dukuri. Duhet të kalojë një periudhë e gjatë kohore që ne të flasim për plakje. Ne nuk mund të mbesim gjithmonë vend bujqësor, pasi bujqësia është sektori i ekonomisë që kërkon lindje të vazhdueshme, që kërkon fuqi punëtore të pakualifikuar. Tashmë ne kemi hyrë në evolucionin e teknologjisë, kemi kompjuterizimin” thekson ajo.

Kërkohet stimulim nga shteti për rritje të natalitetit

Duke marrë parasysh faktorët e rënies se natalitetit, Vebi Mujku, udhëheqës i Institutit për Zhvillimin e Politikave Sociale (IZHPS), në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se shteti duhet të ketë pako stimuluese me qëllim që të rrisë natalitetin.

IZHPS është organizatë joqeveritare, e cila ofron ndihmë dhe këshilla për shërbimet sociale.

“Në rend të parë duhet të ketë shtesa për fëmijë. Në të njëjtën kohë duhet të krijohen edhe kushte të tjera. Duhet të ketë më shumë numër të kopshteve për fëmijë, që nënat të kenë mundësi që të punojnë dhe të dërgojnë fëmijët në kopshte. Kjo, sepse, në disa raste, mungesa e kopshteve është arsyeja pse nënat e reja nuk kanë mundësi të kenë fëmijë”, thekson Mujku.

Lëvizja Vetëvendosje do të adresojë situatën demografike

Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo që ka marrë shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit dhe e cila pritet të krijojë qeverinë e re, ka paralajmëruar se do të adresojë situatën demografike.

Çfarë thotë ligji për pushimin e lehonisë?

Me Ligjin e punës në Kosovë, pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj; 6 muajt e parë i paguan punëdhënësi në kompensim prej 70 për qind të pagës bazë; 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës, në bazë të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa 3 muajt e fundit janë pa pagesë.

Në programin e ardhshëm qeverisës të kësaj partie, thuhet që “do fillojë zbatimi i programit të shtesave për fëmijët dhe do krijohen 160 çerdhe të reja në gjithë vendin”.

Të gjithë fëmijët nën moshën dyvjeçare, thuhet në program, do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 eurove, kurse për fëmijët nën moshën 16-vjeçare, shuma që përfitojnë do të jetë 10 euro në muaj.

Familjet që kanë të ardhura të ulëta, sipas programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, do të rimbursohen varësisht prej të ardhurave vjetore që marrin.

Aty thuhet se do të jepen nga 50 euro për fëmijë, nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 7 mijë euro në vit, nga 100 euro për fëmijë, nëse familja ka me pak se 6 mijë euro në vit, si dhe nga 150 euro për secilin fëmijë, nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 5 mijë euro në vit.

XS
SM
MD
LG