Ndërlidhjet

Një muaj paraburgim për kryetarin e Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq


Ilustrim.
Ilustrim.

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, kryetarit të Komunës së Kllkotit, Bozhidar Dejanoviq.

Dejanoviq u arrestua të premten, më 12 mars, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri B.D në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kllokotit, ka kanosur seriozisht punëtorët e Komunës së Kllokotit dhe qytetarët e kësaj komune, duke ndikuar në vullnetin e tyre që të votojnë në mënyrë të caktuar, për një subjekt të caktuar politik dhe për kandidatë të caktuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Dejanoviq është anëtar i subjektetit politik, Lista Serbe.

Kllokoti është komunë e banuar me shumicë serbe dhe gjendet 55 kilometra larg Prishtinës.

E ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar pas shqiptimit të masës së paraburgimit për Dejanoviq, duke e cilësuar rastin ndaj tij si “persekutim politik” nga autoritetet në Prishtinë, që sipas kësaj zyreje, ka për qëllim "kriminalizimin e përfaqësuesve politikë të serbëve në Kosovë".

“Zyra për Kosovën kërkon nga të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë që të ndalin persekutimin politik të përfaqësuesve serbë”, thuhet në reagimin e kësaj zyreje.

Lista Serbe, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetin serb. Kjo parti, është akuzuar nga partitë e komuniteteve joserbe, se ka ndihmuar dy subjekte boshnjake dhe rome, që të fitojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Bëhet fjalë për subjektin “Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq” dhe “Iniciativën Rome”.

Pas apeleve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Adrijana Hoxhiq humbi ulësen në Kuvendin e Kosovës, pasi PZAP-ja ia anuloi votat e fituara në lokalitetet me shumicë serbe. Një ulëse në kuvend humbi edhe “Iniciativa Rome” dhe pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 13 mars, kjo iniciativë do të ketë vetëm një deputetë në legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG