Ndërlidhjet

Kurti uron Abdixhikun: Bashkëpunimi opozitë-qeveri, interes i përbashkët


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka uruar Lumir Abdixhikun për zgjedhjen e tij në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke thënë se është në interes të Kosovës, që të ketë bashkëpunim ndërmjet opozitës dhe qeverisë së re.

“Është interes i përbashkët i çdo qytetari të Kosovës që partitë politike të hedhin hapa përpara sa i përket demokratizimit të brendshëm, bashkëpunimit midis opozitës dhe qeverisë për punë të dobishme, por edhe opozitarizmi i fortë për çështje të argumentuara drejt e saktë”, tha Kurti të dielën në një postim në rrjetin social Facebook.

Kurti, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, kanë ftuar liderët e partive në takim konsultativ për formimin e institucioneve të reja.

Megjithatë, Abdixhiku, i cili të dielën, më 14 mars, mori besimin për ta udhëhequr LDK-në, tha se e ka të pamundur që të marrë pjesë në këtë takim, për shkak të konsolidimit të organeve të reja të partisë.

“Gjithsesi propozoj të premten si datë të takimit eventual, në formatin e njëjtë siç është kërkuar”, tha Abdixhiku për mediat në Prishtinë.

Abdixhiku tha se platforma e tij është që LDK-ja të jetë konstruktive dhe të mos shkaktojë probleme në formimin e institucioneve të reja.

“Qasja e jonë do të jetë konstruktive. Pjesë e platformës sime, që do ta bëj publike për media, është që ne do të jemi konstruktiv me të gjitha partitë politike shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por dhe në rajon”, tha Abdixhiku.

Më 13 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku LVV-ja e Albin Kurtit ka fituar 50.28 për qind të votave.

Kurti, më herët ka deklaruar se qeverinë mëton që ta formojë me partitë e komuniteteve joserbe, duke përjashtuar në këtë drejtim bashkëpunimin me Listën Serbe dhe partitë tjera shqiptare.

Përveç konstituimit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjes së qeverisë së re, të cilën pritet ta udhëheqë Kurti, Kosova duhet të zgjedhë edhe presidentin e ri.

Lëvizja Vetëvendosje, për kandidate për presidente e ka Vjosa Osmanin, e cila aktualisht është ushtruese e detyrës së presidentit.

Për zgjedhjen e presidentit, sipas Kushtetutës, duhet mbështetja e 80 deputetëve të kuvendit. Deri më tani, as LDK-ja dhe as partitë e tjera, nuk kanë treguar nëse do ta votojnë Osmanin për presidente.

Osmani, ish-zyrtare e LDK-së, në këto zgjedhje kandidoi në listën e LVV-së dhe është personi më i votuar, duke siguruar mbi 300 mijë vota.

XS
SM
MD
LG